Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Peshkirin do ta dorëzojnë në ring nga goditjet e forta”, Ali Ahmeti flet për koalicionin që po e mbështetë Kurti

Procesi zgjedhor për zgjedhjet e dyfishta, ato presidenciale dhe parlamentare po vazhdon ende në Maqedoninë e Veriut. E votën e tij e ka hedhur edhe Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ai, ka thënë se koalicioni VLEN, i mbështetur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe që në listë ka anëtarë të Vetëvendosjes, “në mbrëmje do të dorëzojë peshqirin në ring nga goditjet e forta”.

Ahmeti tha se ka pritshmëri se rezultatet do të pranohen nga të gjithë e që në fund të triumfojë filozofia për t’i çuar proceset përpara e të mos ketë devijim nga kursi euroatlantik i vendit.

“Të gjitha palët duhet të mendojnë se me 9 maj, nesër, duhet të punohet për shtetin, për paqen, për ardhmërinë, ekonominë, standardin jetësor dhe jo me fraza patriotike folkloriste dhe vullneti i shqiptarëve është i pakapërcyeshëm. Ai që do paqen dhe stabilitetin respekton edhe vullnetin. S’kam çka shtoj më shumë”, ka thënë ai.

I pyetur për mbështetjen që Kurti dhe Vetëvendosje ia kanë dhënë koalicionit shqiptar VLEN, Ahmeti ka thënë se “mirë që e bëjnë dhe ju ndihmon, por peshqirin do ta dorëzojnë në ring sepse goditjet do të jenë shumë të forta”.

Kujtojmë se në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të votohet për dy kandidatë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare për 17 lista të deputetëve.