Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Tetovë, ka sjellë reagime të shumta pasi ky i fundit tha se Maqedonia e Veriut duhet të jetë më afër Kosovës, Shqipërisë e Bullgarisë dhe të qëndrojë sa më larg Serbisë.
Drejtori i zyrës për Kosovë, Petar Petkoviç deklaratën e Kurti e ka quajtur marrëzi, pasi sipas tij kryeministri po e bën për të destabilizuar Maqedoninë e Veriut.
“Deklarata të tilla Kurti i bën duke u angazhuar hapur në destabilizimin e Maqedonisë së Veriut dhe nga Tetova, e cila në të kaluarën e afërt ishte në qendër të terrorizmit dhe separatizmit shqiptar, sulmon Beogradin, sepse Serbia është miku më konsekuent dhe më i sinqertë i Shkupit në rajon”, tha Petkoviq.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Kurti gjatë vizitës në Tetovë citoi “Aleanca veriatlantike NATO’ja, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar janë platforma vlerore e cila na sjell mbrojtje e siguri sidomos në këtë kohë kur imperializmi rus e riktheu luftën në kontinentin tonë europian. Maqedonia e Veriut, sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë e sa më larg Serbisë, e cila nuk po distancohet as nga Milosheviqi e as nga Putini aq më afër ajo, aq më afër Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni i ynë i Ballkanit. E për këtë ne duhet ta ndihmojmë dhe duhet ta përkrahim Maqedoninë e Veriut”.