Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, e ka cilësuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këtë subjekt politik, si lojë tendencioze.
Ajo ka thënë se ky vendim i KQZ-së nuk e pengon PSD-në që të marrë pjesë në zgjedhje.
“Në Kuvendin e kemi thirrur më 28 janar edhe para se të mbahet takimi në KQZ-së para afatit 15 dhjetor, kemi kërkuar që të shtyhet për arsyet tona procedurale të organizimit që është më i mirë në janar se sa në gjysmën e dytë të dhjetorit që do të ishte edhe më vështirë të bashkohen njerëzit dhe kemi marrë përgjigje se është në rregull”, ka thënë Kuçi.
“Pezullimi është çështje procedurale e cila PSD-së nuk i bën dëm, mirëpo është veç një lojë tendencioze”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, edhe në të kaluarën ka pasur parti politike të cilat e kanë shtyrë kuvendin dhe nuk është bërë problem.
“Nuk është dashur të bëhet temë kjo çështje. Nuk e ndalon pezullimi PSD-në të marrë pjesë në zgjedhje. Mirëpo është çështje koti që kanë vendos ta respektojnë një lloj formaliteti që më herët nuk e kanë bërë”, është shprehur zëdhënësja e PSD-së Natyra Kuçi.