Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Dimitar Kovaçevski inspektuan Pikën Kufitare të Qafë Thanës ku u prezantua nisma “One stop shop” mes dy vendeve respektive.
Ai tha se qëllimi i dy vendeve është unifikimi i plotë i doganave e për të avancuar me këtë ide nuk kanë përse të presin integrimin në BE.
“Dua të shpresoj se të dyja Ministritë e Brendshme do kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit, për të bërë kalimin me kontroll të rastësishëm të makinave të targuara republika e Shqipërisë apo republika e Maqedonisë së Veriut.
Ky është një hap i rëndësishëm, por qëllimi final është unifikimi i doganave që natyrisht do të vijë me integrimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, por nuk kemi pse të presim Bashkimin Europian për ta avancuar si ide.
Ka pasur shumë skeptikë dhe përqeshës kur ne e nisëm këtë proces, por ndërkohë rezultatet flasin çdo ditë e më mirë. Ta bëjmë hapësirën mes nesh një hapësirë ku jetohet si në Bashkimin Europian pa pritur të jemi pjesë e tij. Kryeministri përmendi projektin e shumëfolur të Korridorit 8 të cilit i ka ardhur dita të realizohet e për të cilin po punohet në të dyja anët e kufirit”, tha Rama./ euronews.al/