Ngjyrat, pena dhe telajo janë të pazëvendësueshme në jetën e tij. Dashuria dhe talenti ndërthuren dhe krijojnë pikturat e suksesshme në mbarë botën. Disa ditë më parë mori pjesë në Javën e Modës në Paris me pikturat e tij. Ramë Dardania do të rrëfejë sot gjithçka në Vizioni i Pasdites, të moderuar nga Brikena Prifti.
Ramë Dardania: Isha në Paris në javën e Modës, ku u ndanë trofetë. Isha aty për të ekspozuar punimet e mia me 5 artistë të tjerë, që ishin nga Franca dhe Amerika. Ishte kënaqësi e madhe të isha aty sepse prezantoja Shqipërinë dhe Kosovën. Në intervistat që dhashë fjalët e para ishin Kosova dhe Shqipëria. E kam si mision që ta paraqes, kudo ku shkoj, familjen, veten dhe vendin nga vij.
Tregon se fillimisht ka qenë aktor, por që fëmijë e ka pasur dëshirë që të pikturojë.
Ramë Dardania: Babanë e kam pasur aktor, unë doja të bëja teatër, mirpër prindi im thoshte mos e bëj, insistonte. Fliste prej vuajtjeve të veta sepse puna e artit nuk është e lehtë. Megjithatë unë bëja teatër fshehur. Më pas, kur isha në Zvicër, mendova t’i rikthehesha sërish dëshirës sime të fëmijërisë, të pikturoja. E kam menduar mirë, sepse përmes pikturës e kam edhe më të lehtë të inkuadrohem në rrethin zviceran.
Nga një fshat i Ferizajt, në Zvicër, artisti tregon vështirësitë me të cilat i është dashur të përballet.
Ramë Dardania: Ne kemi qenë të izoluar në Kosovë dhe Shqipëri. Tani nuk ka dallim qyteti i Ferizajt me një qytet këtu. Por atëherë ishte e vështirë të dilje nga një vend i izoluar në një qytet metropol si Gjermania, Zvicra.
Tregon gjithashtu se cila ka qenë ekspozita më e veçantë për të.
Ramë Dardania: Prej periudhës së Covid fillova të ekspozoja në një shesh në Paris, në nderim të Nelson Mandelës. Aty erdhën kuratorë të artit që filluan të pëlqejnë punën time. Më pas shkova në Milano, në Barcelonë. Më e veçanta për mua ka qenë ekspozita vitin e kaluar në shtëpinë e artit në Gjenevë, ka qenë për të zhdukurit e luftës së Kosovës./vizionplus.tv