Ish-drejtuesi i lartë i policisë, Arjan Hoxha, është shprehur se në Shqipëri Politika pengon punën e Policisë dhe Prokurorisë për të hetuar krimin e organizuar, madje sipas tij, në disa raste shfaqen krah tyre, duke i vendosur edhe pistoletën në kokë efektivëve të Policisë.
Komentet Hoxha i bëri në një emision televiziv, ku tha se Nikla është një zonë “e kuqe”, ku Policia e ka të vështirë për të ndërhyrë.
Ai tha gjithashtu se fatkeqësisht ka pasur raste që forcat speciale kanë bërë kompromise ne bandat në Nikël për të ndërhyrë atje.
“Nuk është se e njoh me detaje këtë zonë. Është një zonë e cila futet në zonat e kuqe për Policinë e Shtetit. Ndoshta më e rrezikshmja për Policinë. Nga viti 2013 e më pas, veprimtaria e atyre grupeve kriminale është shtrirë në gjithë Shqipërinë, kanë akumuluar financa të frikshme. Ata rakordojnë me gjithë krimin që operon në Shqipëri.
Është e pamundur nga Policia lokale, madje edhe forcat speciale e kanë të vështirë për të hyrë në atë zonë. Fatkeqësisht disa herë i janë dashur edhe kompromise. Sidomos për të hyrë në Nikël. Pra kompromise kur ndërhyjnë forcat speciale, që do të kemi 1,2,3 gjëra. Pra kaq komplekse janë gjërat sa nuk dihet ku do të ndërhyjë Policia. Është një zonë që realisht është jashtë kontrollit të shtetit.
Ndërhyrja e Politikës e dëmton punën e Policisë apo të Prokurorisë. Ky është realiteti shqiptar. Kur vjen atje, politikani shoqërohet me kriminel. I vënë edhe pistoletën në kokë oficerit të policisë që sot është në azil. Ky është një mesazh për çdo punonjës Policie. Edhe ne themi pse e ka të vështirë për të ndërhyrë Policia, sigurisht që e ka të vështirë, ai të vjen në Komisariat të vë pistoletën në kokë”, tha Hoxha.