Një incident ndodhi në pasditen e së hënës, më 29 maj, në Zveçan, Kosovë, kur rreth 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, u lënduan gjatë një intervenimi për shpërndarjen e protestuesve serbë.
Ndërhyrja e KFOR-it u bë pasi paraprakisht iu kërkua protestuesve të hiqen nga zona, por ata refuzuan dhe sulmuan me gjësende të ndryshme, përfshirë mjete eksplozive.
Protesta në Zveçan kishte një ndikim të veçantë nga Beogradi, duke përfshirë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë si, Bane Jakshiq dhe Bojan Topliceviq të cilët ishin prezentë në vendin e protestës për të shkaktuar trazira.
Njëri prej sulmuesve të identifikuar, Marko Nikoliq, u përfshi në sulmet direkte ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, duke rezultuar në lëndime të rënda për rreth 30 persona.
Gjithashtu, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka përmendur disa armë me të cilat pretendon se grupet kriminale në veri, i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, gazetarët e Policinë e Kosovës.
Sipas Kurtit, këto armë janë prodhuar dhe sjellë nga Serbia.
“Grupet e dhunshme ekstremiste dhe kriminale në 3 komunat veriore më 29 maj përdorën granata dore SRB (Slavko Rudojić Bugojno) M75 dhe shok bomba RŠB (Ručna Šok Bomba) P98, të dyja të prodhuara dhe të sjella nga Serbia, duke plagosur dhjetëra ushtarë të NATO-s, punonjës policie dhe gazetarë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Rado Petrovic dhe Dusan Obrenovic, nuk do të jenë të lirë, edhe për 1 muaj, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, u ka caktuar masën e paraburgimit.
Ata po dyshohen për veprën penale ‘rrezikimi i personave nën mbrojtjen ndërkombëtare’ dhe ‘pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi’.