Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Katër persona kanë mbetur të plagosur të mërkurën në orët e pasdites në Lupç të Podujevës. Tre prej tyre janë plagosur me armë zjarri, ndërsa njëri me thikë.

Rasti ishte konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë)”, ishte shprehur Ahmeti.

Sipas zëdhënëses, hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

Ndërkaq, lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurve kanë folur nga Qendra Emergjente në QKUK.

Një 50 vjeçar, që është në mesin e katër të plagosurve me armë zjarri në Lupç të Podujevë, është në rrezik për jetë.

Kështu ka thënë mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në QKUK, Agron Çitaku.

Çitaku tha se njëri person i plagosur, i moshës rreth 50 vjeçare, është në gjendje më të rëndë dhe pritet të operohet.

“Kanë mbërri katër raste. Trajtimi ka zgjatur deri tani. Dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, dy më të lehtë. Ata mund të lëshohen. Ata kanë plagë shpuese dhe trajtimi është duke vazhduar. Njëri do të futet në sallë të operimit. Për momentin njëri prej tyre mund të themi se është në rrezik për jetë. Të tjerët jo”, ka deklaruar Çitaku.

Edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë konfirmuar plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës, që ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, e ku janë përdorur armët e zjarrit dhe thika.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë se pas pranimit të informatës nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendngjarje.

“Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër persona, të cilët janë dërguar për ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Një person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për tu intervistuar”, është shprehur Ulaj.

Sipas zëdhënëses së Prokurorisë, Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë”, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti.

Pesë personave u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh si të dyshuar në rastin e plagosjes së katër personave, që ka ndodhur pasditen e së mërkurës në Lupç të Podujevës.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë se ndalimi prej 48 orësh iu është caktuar nga Prokurori i Shtetit.

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin prej 48 orësh pesë personave të dyshuar në rastin e plagosjes së katër personave në Lupç të Podujevës, për shkak të veprës penale ‘Vrasja në tentativë’”, ka thënë Ulaj, transmeton Telegrafi.

Sipas zëdhënëses, personat e dyshuar të cilët janë duke u trajtuar në QKUK janë nën masën e sigurisë nga policia.