Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Plagosja e tre personave në Gjakovë, spitali jep informata për gjendjen e tyre

Gjuajtje me armë ka pasur në një lokal në Gjakovë, të dielën në ora 00:10, për pasojë tre persona janë lënduar.

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë njofton se dy nga të lënduarit kanë lëndime në ekstremitetet e poshtme të trupit, “pas trajtimit mjekësor që kanë marrë në Emergjencë janë hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë, gjendja e tyre është stabile”, njofton spitali, transmeton Express.

“Ndërsa personi i tretë ka lëndime në regjionin lumbal (pjesën e poshtme të shpinës) ka qenë e nevojshme ndërhyrja kirurgjike”, njofton spitali.

Njoftimi i plotë i spitalit:

Pas orës 00:20 në Emergjencën e Spitali janë lajmëruar tre qytetarët me lëndime me arme zjarri, prej tyre dy kanë lëndime në ekstremitetet e poshtme të trupit, pas trajtimit mjekësorë që kanë marrë në Emergjencë janë hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë, gjendja e tyre është stabile.

Ndërsa personi i tretë ka lëndime në regjionin lumbal (pjesën e poshtme të shpinës) ka qenë e nevojshme ndërhyrja kirurgjike, momentalisht është sallë të operacionit.

Stafi mjekësor po vazhdon trajtimin dhe kujdesin e duhur profesional.

Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës ka thënë të dielën në mëngjes se dyshuari për gjuajtje me armë zjarri ndodhet në kërkim.

“Sot rreth orës 00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka thënë Elezaj. /Express