Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Plakolli për Baljen: Nuk duhet të vazhdojë ta kryejë detyrën e kryetares së Komisionit

 
   

Profesoresha, Luljeta Plakolli, ka folur për deputeten Duda Baljen dhe detyrën e saj si kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe kundërshtimin e saj që ka për Projekt-Kodin Civil.

Plakolli në njërin prej podcasteve të realizuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se një person që mban pozita të tilla nuk duhet të vazhdojë të kryejë atë detyrë nëse nuk e kupton se si mbrohen të drejtat e njeriut.

“Është e rëndësishme që personat të cilët punojnë në pozita të tillë siç është rasti i deputetes në fjalë që është kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, të jenë avokatë të fuqishëm për të drejtat e njeriut, të gjithëve pa asnjë dallim sepse kjo është ideja. Në këtë rast, unë besoj që kryetarja e këtij Komisioni duhet të ketë angazhim shumë më të fortë dhe të çartë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe qytetarëve sepse nëse ky angazhim mungon ose ka anime nga grupet e caktuara, pa i lënë anash grupet tjera atëherë unë besoj që thirrjet e Shoqërisë Civile të të tjerëve janë mesë të logjikshme. Pra, nuk duhet të vazhdojë ta kryej atë detyrë nëse nuk e kupton mirë për çka është aty dhe çka janë, çka paraqesin të drejtat e njeriut dhe si duhet mbrojtur ato”, tha ajo.

Sipas saj, më shumë po kalkulohen votat se interesi i përgjithshëm publik sa i takon Kodit Civil.

“E keqja këtu është që nuk po merren parasysh. Nuk e di tash a me vetëdije a po pa vetëdije, nga mosdijenia apo pa qëllim më shumë po kalkulohen votat se sa po merret parasysh interesi i përgjithshëm publik. Kjo është më e keqja dhe kjo nuk duhej të ndodhë në një vend demokratik qysh Kosova mëton të jetë”, tha Plakolli.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka filluar një seri të podcasteve me qëllim të trajtimit të sfidave dhe promovimin e të drejtave të grupeve të margjinalizuara në Kosovë. Seria e parë e podcasteve është duke u fokusuar tek bashkëbisedimet që zhvillohen me akterë të ndryshëm lidhur me sfidat dhe sigurinë e gazetarëve. Po ashtu, gjatë serisë së parë të podcasteve është trajtuar edhe çështja e të drejtave të personave të komunitetit LGBTIQ+.