
Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar kontratë ndërmjet kompaninë amerikane AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.
Dy vjet më vonë, në vitin 2020, Kosova kishte blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja.
Ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Në po të njëjtin vit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për blerjen e katër dronëve për FSK-në në vlerë rreth 11 milionë euro.
Plani për tranzicionin e FSK-së në Ushtri
Shtimi i kapaciteteve të FSK-së hynë në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së në Ushtri. Në Planin e Tranzicionit parashihet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë aktivë dhe 2 mijë e 500 të tjerë rezervë.
Se Kosova ka nisur gjenerimin e opsioneve për ndërtimin e flotës ajrore, Ministria e Mbrojtjes kishte bërë të ditur në ditët e para të vitit 2025.
Ndër të tjera, Ministri Maqedonci është shprehur se Kosova ka mbështetje nga SHBA-ja për blerjen edhe të sistemeve të tjera, të cilat do të bëhen pjesë e FSK-së në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit, që sipas tij, ky proces do të zhvillohet nga tani deri në vitin 2028.
Me Planin e Tranzicionit, më 2028, FSK-ja pritet të shndërrohet ushtri duke arritur të gjitha kapacitetet operacionale për “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.
Procesi i transformimit të FSK-së në forcë me kapacitete ushtarake ka hyrë në vitin e shtatë të Planit dhjetëvjeçar.
Procesi i transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së.
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila po ashtu ka nën menaxhim Forcën e Sigurisë së Kosovës, është rritur dukshëm nga viti në vit. Për vitin 2025 ka një rritje prej 55 milionë euro më shumë, krahasuar me vitin e kaluar.
Për sivjet, janë 208 milionë euro buxhet për këtë Ministri. Ndërsa, për vitin 2024 ishin ndarë gjithsej 153 milionë euro.
Përndryshe, në vitin 2024 buxheti i tërësishëm i Kosovës ishte 3 miliardë e 314 euro, kurse 3 miliardë e 212 milionë euro në vitin 2023. Ndryshe prej rritjes 100 milionëshe që ndodhi në vitin 2024, rritja për vitin 2025 do të jetë 294.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 27.11.2024 në Ditën e Forcës kishte nënshkruar Vendimin për Themelimin e Komisionit Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjen e procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës së municionit dhe për laboratorët për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë.
“Një Ushtri që për një kohë aq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar dhe garantuar operancionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore” – kishte thënë Kurti./ Kallxo.com