Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Plani i Kurtit për shtensionim të situatës, vjen thirrja urgjente për ndërkombëtarët!

Situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po vazhdon të jetë e tensionuar.

Protestat në veri të vendit janë ende prezente ani pse me numër më të vogël të protestuesve.

Megjithatë, gjatë ditës së djeshme Serbia rrëmbeu tre policë të Kosovës, duke hyrë kështu thellë në territorin e saj.

Kjo gjë ka acaruar edhe më tutje situatën e sigurisë dhe atë politike.

Rrëmbimi i policëve ndodhi një ditë pasi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në planin për uljen e tensioneve në veri të Kosovës përmendi koordinimin e qeverisë së tij me të gjithë aktorët për shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri.

Kryeministri Albin Kurti, tha se i ka propozuar shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe QUINT-it një plan me pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Pika e parë në planin e kryeministrit të Kosovës është sundimi i ligjit në katër komunat në veri. “Situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj policisë së Kosovës, KFOR-it dhe medieve”.

Pika e dytë; “Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës”.

Pika e tretë; ”Policia e Kosovës dhe KFOR, apo EULEX do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë për të garantuar ambient të sigurt për të gjithë”.

Pika e katërt; “Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë aktorët dhe do të shpallë zgjedhjet e reja në veri”, dhe pika e pestë; “Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar të Brukselit. Bashkimi Evropian siguron një plan renditje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes bazike”.

Ndërsa. gjatë ditës së mërkurë Bashkimi Evropian ka refuzuar propozimin e Kurtit për të cilin ai njoftoi dje popullin e Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një deklarim për medie.

“Plani i tij (i Kurtit) 5-pikësh dështon që të adresojë në mënyrë adekuate disa elemente kryesore që shkaktuan – që janë shkaku kryesor i krizës së fundit, dhe të cilat presim që t’i adresojë në mënyrë të vendosur.” – u shpreh z. Stano.

Kurse, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një rund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.

Mes tjerash, zyrtari evropian ka kërkuar që kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të mos punojnë nga zyrat në objektet komunale, tërheqjen e policisë nga afërsia e këtyre ndërtesave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

“Paralelisht, ne po i kërkojmë Serbisë që të mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, shkroi Borrell.

Qarri: Prezantimi i 5 pikave ishte veprim i drejt nga kryeministri Kurti

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai u shpreh se marrëveshjet e nënshkruara nga dy shtetet nuk po gjejnë zbatim nga Serbia, pasi Kosova po punon në normalizim të raporteve.

“Në fakt, Kosova dhe Serbia, siç dihet, zhvillojnë bisedime që nga viti 2011, me qëllim, të paktën nga ana e Kosovës, që të arrihet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve, ndërmjet të dy vendeve. Edhe në dy takimet e fundit të mbajtura në Bruksel e Ohër, sipas propozimit të Bashkimit Evropian, hapi i parë që do duhej të ndërmerrej në kohë sa më të shkurtër, nga të dy shtetet dialoguese, ishte zbatimi i propozimit të BE-së, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, përderisa Kosova i bën të gjitha përpjekjet, që marrëveshjet e dakorduara në kryeqytetin e BE-së, në Bruksel dhe qytetin e Ohrit, të zbatohen në kohë reale dhe me paprekshmëri maksimale, duke qenë se në pjesën më të madhe, bëhet fjalë për të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës, kufijve dhe territorit të saj, Kosova bënë çdo gjë që ato edhe të implementohen, pa vonesë”, shprehet ai.

Qarri thotë se Serbia nuk po mundohet të rregulloj raportet me Kosovën, përkundrazi edhe pse është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, marrëveshja e nënshkruar nga Mustafa, e njëjta po kërkon zbatimin e saj.

“Ndërsa, krejt ndryshe është me Serbinë, e cila duke qenë se me asnjë temë nuk diskutohet edhe për rregullimin e brendshëm të Serbisë, territorin, kufijtë dhe rregullimin e brendshëm të shtetit serb, madje në bisedime nuk janë përfshirë as të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Krejt këto shkaktohen drejtpërsëdrejti nga Serbia dhe këmbëngulja e Aleksandër Vuçiqit për bosnjëzimin e Kosovës, si dhe krijimin edhe të një “Republike srpska” në Kosovë, si hap paraprak për ndarjen e Kosovës, megjithëse më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës e hodhi poshtë marrëveshjen e nënshkruar nga Isa Mustafa, pasi gjeti se 23 nga 24 pika, sa thuhet se i ka Marrëveshja, e ashtuquajtur, mbi parimet për themelimin e Asociacionit kundërkushtetues një etnik serb, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, aktin më të lartë juridik të shtetit të Kosovës”, shpjegon analisti.

Sipas Qarrit prezantimi i planit me pesë pika ndaj ndërkombëtarëve ishte veprim i drejt nga kryeministri Kurti, mirëpo që kundërshtimet edhe nga vet opozita e vendit, sollën një çështje tjetër diskutimi.

“Prandaj përkundër gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës, për një forme të përshtatshme të asociacionit, sipas versionit kroat të asociacionit për pakicën serbe, të cilin e ka dërguar edhe në Bruksel, version që është dëshmuar i suksesshëm dhe është pranuar nga BE dhe vet Serbia, çuditërisht, kur është në pyetje Kosova, po ky propozim, jo vetëm që nuk po pranohet nga Serbia hegjemoniste, e cila nuk është e interesuar për asociacion, por për gllabërim territori, por nuk po pranohet, as has në mirëkuptim as nga vet ndërkombëtarët, që nga BE e deri në SHBA.

Dhe siç jemi dëshmitar dhe në dijeni të gjithë tanimë, edhe pse  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është përgjigjur drejtë dhe me kohë kërkesave të BE-së, duke pranuar edhe ri mbajtjen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, për katër komunat në veri dhe propozuar shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe QUINT-it një plan me pesë pika për shtensionimin e situatës, Kosova duke pasur edhe opozitën si kundërshtare të parë, të rendit e të ligjit, shtetësisë dhe shtrirjes së sovranitetit edhe në veri, gjë që më së miri e dëshmoi PDK, me dy kryetarët e sapo-betuar nga radhët e saj, që ashtu siç kërkoi Vuçiqi dhe Serbia, nuk i lejoi të vendosen në objektet komunale, po del e dëmtuar, pa fajin e saj”, tha ai.

Ndër të tjera, analisti nënvizoi që opozita e vendit po vazhdon të jetë në shërbim të Vuçiqit, gjë që ia vështirëson gjendjen Kosovës.

“Në këtë mënyrë PDK, i dëshmoi gjithë botës se ajo mbetet në shërbim të Vuçiqit, nuk është e interesuar për veriun dhe la të vetme Qeverinë e Kosovës, në luftën (edhe të kësaj formë) për shtet dhe integritet territorial të Republikës së Kosovës, përçarje katastrofale , e cila ia lehtësoi punën Borellit dhe Lajçakut me shokë, që në emër të BE-së, shtetit tonë të ri, ti vendosin  edhe disa masa restriktive, zbatimin praktik të të cilave, i pari i nisi, kush tjetër, përveç sivëllait të Aleksandër Vuçiqit, neokomunistit dhe turpit të mbar kombit shqiptar, Edvin Kristaq Rama, duke anuluar mbledhjen e përbashkët të paraparë të mbahej me 14 qershor në Gjakovë, ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë tjetër në histori”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

Burjani: Serbia duhet të privohet nga e drejta për të folur në emër të serbëve të Kosovës

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në bisedë me “Bota sot”, thotë që dialogu duhet të fillojë menjëherë dhe të mos vendosen kushte por të ketë siguri në Kosovë.

“Kurti po dialogon për shtensionimin e gjendjes me bashkësinë ndërkombëtare, gjë që duhet edhe të diskutohet veç me KFOR, pastaj Serbia duhet të privohet nga e drejta për të folur në emër të serbëve të Kosovës. Dialogu nuk bëhet me kushte, pra nuk lejohen kushtet, dialogu duhet të filloj pa kushte dhe menjëherë plani si propozim mund të vjen edhe nga KFOR që është përgjegjës për sigurinë në Kosovë”, potencoi ai.

Juristi në fund thekson që nuk duhet të humbet kohë, sa më shpejt duhet të ketë takim të radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Nuk duhet të humbet kohë dhe urgjent duhet të mbahet takimi i radhës në Bruksel në mes Kurtit dhe Vuçiqit. Pra nuk është koha për të vënë kushte bashkësisë ndërkombëtare por për të siguruar menjëherë paqen dhe sigurinë në veri”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.