Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi se Shqipëria do të përfitojë 920 milionë euro nga plani i rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke folur në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Rama, von der Leyen tha se BE ka hapur tregun e përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku një ndër to është edhe Shqipëria.
Ajo vuri në dukje se investimet e BE-së ndaj Shqipërisë vijnë pasi vendi ka bërë reformat e duhura.
“E para ka të bëjë me planin tonë të rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor. E diskutuam javën e shkuar në samitin e Berlinit. Ne hapim derën për tregun e përbashkët të BE-së për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, për kompanitë në sektorë të caktuar por edhe partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po vënë në zbatim reforma të rëndësishme dhe këto reforma mbështeten nga ne me anë të investimeve shtesë evropiane.
Tashmë ka një vit që kur ka filluar puna dhe shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë gati agjendën e reformave. Shqipëria është një prej këtyre vendeve, e cila ka bërë një punë të shkëlqyer për agjendën e reformave”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian.
Von der Leyen theksoi më tej se investimet e BE-së vijnë nga realizimi i reformave por edhe si pjesë e planit të rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për këtë arsye, sipas saj, Shqipëria në parafinancim do të përfitojë 64 milion euro ndërsa gjithsej si investime do të marrë 920 milionë euro.
“Tani duhet të fillojmë me parafinancimin prej 64 milionë eurosh deri në fund të vitit. Cilësia e planit të reformave është e mirë, kështu që edhe këtë vizion e kemi të qartë. Gjithsej Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milionë euro nga plani i rritjes. Plani i rritjes do të sjellë edhe rezultate të tjera.
Për shembull jeni në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e zonës unike të pagesave në euro që prej vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë që transfertat në para ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe falas. Një përfitim si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset”, tha von der Leyen.
Tags: Plani i RritjesShqiperiavon der Leyen