Të dy frazat zgjuan tek unë një diskrepanse por prapë vendosa të përgjigjem në shkrimin e mëposhtëm, njëkohësisht duke falënderuar autorin për „nxitjen“ e profesionisteve që tek ne nuk mungojnë mirëpo sigurisht se shumica gjenden ende në pushime verore.
Duket se unë kam privilegjin të jap mendimin tim subjektiv ne këtë temë tepër delikate. Në një shoqëri më një besnikëri shumëvjeçare ku faltoret vlerësohen më shumë se sa psikologet, ku njerëzit zgjohen në ora 2 të mëngjesit vetëm për të zënë vendin që te paguajnë një shumë të madhe parash e për shërim as që bëhet fjalë atëherë profesionisteve ju mbetet ose të kërkojnë vet një psikolog ose të dyshojnë në aftësitë e veta siç më ndodh edhe mua shumë herë!
Fenomeni që ne psikologji quhet Oversharing është prezent tani gati tek të gjithë njerëzit e planetit por se në cilën pike tejkalon kufijtë mendoj se prape është subjektive. Është shumë e lehtë të deklarojë se jemi shoqëri që jetojmë për opinionin e mjedisit, familjareve apo rrjeteve sociale. Mirëpo më efikase do të ishte të mendojmë se prej nga vjen kjo? Unë kam zgjedhur dy arsyet pse Oversharing është ndoshta në masë të tepërt tek ne si shoqëri dhe çka reflekton është pasiguria dhe vetmia!
Kjo tregon se ne jemi të etur për vëmendjen e tjetrit, për dashurinë e njeri tjetrit, për mirënjohje dhe është shumë e vështirë të kuptosh si jo profesionist në këtë fushë se sa të demoralizuar janë njerëzit tanë dhe sa kanë mungesë të një fjale të mirë e inkurajuese! Dhe sa e lehtë do të ishte ta shprehnim sikur të ishim më të kujdesshëm të tregojmë merita aty ku duhet pa nevojë ekspozimi.
Individët përbëjnë kolektiven e kolektivja paraqet shpirtin e një populli. E populli ynë shqiptar ka një shpirt sa të bukur e fisnik po aq edhe të lënduar, të trishtuar, të dhunuar. Një shpirt që ka hyrë në një depresion social, një shpirt që po përjeton një vdekje klinike gjatë metamorfozës së transformimit që ndodhemi kolektivisht.
Vlerat tona kanë humbur busullën sepse kemi filluar të hipnotizohemi nga inputi negativ shumëvjeçarë që na servohet falas nga më të mençurit e shtetit. Ne jemi pasqyra e familjes së madhe shqiptare qe quhet politikë. E cila deri tani na ka trajtuar dhe edukuar me mllef dhe përqarje.
Dhe ky mllef ka hyrë në palcën e popullit. Ne si popull kemi kaluar shumë shpesh nëpër ferr mirëpo zjarrin në shpirt nuk ka mundur të na shuajë askush deri tani. Edhe pse na kanë vrarë shpresën për një të ardhme më të mirë, ne si individë prapë nuk dorëzohemi dhe me pozitivitet po mundohemi të demonstrojmë në postimet tona të kundërtën edhe pse ndoshta jo në nivele te duhura.
Kështu që unë nga ana psikologjike e shohë të kundërtën (ndoshta për arsye se kam zgjedhur ta trajtoj psikologjinë pozitive të popullit shqiptare) pa injoruar fushat tradicionale të psikologjisë! Është filozofia e shpirtit shqiptare që të inspiron të besosh se ne nuk jemi aty ku duhet të jemi, mirëpo edhe nuk jemi dhe nuk do të mbetemi aty ku ishim.