Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Plumb në kokë! Dosja që arrestoi “kokat” dhe biznesmenin, lidhja me Ervis Martinajn (Dosja e plotë)

Prokuroria e Posaçme firmosi 15 urdhër-arreste për vrasje. Mes të arrestuarve deri tani janë ish-shefi i Forcës Operacionale në policinë e shtetit, Oltion Bistri, drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita, Astmer Bilali, Ardit Hasanbenga, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe Edmond Lika. Në kërkim janë Ervis Martinajt, i zhdukur një vit më parë, Elio Hato, që është miku i tij, por edhe Behar Bajri.

Pse u arrestua Oltion Bistri?
Ish-shefi i Forcës Operacionale është arrestuar mbi dyshimet se ka nxjerrë sekrete hetimore të dosjeve të nxehta që janë përfshirë grupet kriminale. Gjithashtu akuzohet për shpërdorim detyre pasi nga hetimi ka rezultuar se nuk ka raportuar për dijëninë që ka pasur.

Ervis Martinaj dhe Elio Hato
“Mbreti” i basteve Ervis Martinaj, së bashku me Behar Bajrin, Pëllumb Gjokën dhe Edmond Prekën dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e Gjin Ndojit, të njohur edhe mbiemrin Boriçi në 2020 në Vaun e Dejës. Gjin Ndoji, 27-vjeç në vitin 2020 u qëllua me plumb në kokë dhe mbeti i vdekur në vend. Në banesat e Martinajt ka pasur kontrolle. Gjithashtu Hato sipas prokurorisë, dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka tentuar që t’i bëjë atentat Ibrahim Licit.

Xhevahir Lita
Drejtuesi i prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dyshohet se ka mbyllur hetimet e dosjes për vrasjen e Gjin Ndojit duke u korruptuar. Prokurori dyshohet se është korruptuar përmes Hatos. Gjithashtu krahu i djathtë i Martinajt dyshohet se është përfshirë edhe në përgatitjen e një atentati.

Pëllumb Gjoka
Biznesmen i kazinove dhe i ndërtimeve në Velipojë dyshohet se është përfshirë në vrasjen e Gjin Ndojit. Ish-kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar më herët për vrasje, trafik droge dhe tjetërsim pronash në Velipojë. Gjoka është shpallur nga qeveria investitor strategjik.

Fisi Bajri
Në orët e para të ditës së sotme forca të shumta policie zbarkuan në zonën ku banon fisi Bajri. Behar Bajri është shpallur në kërkim. Persona të tjerë janë shoqëruar, janë marrë në pyetje dhe më pas janë liruar.

Ardit Hasanbenga
Ai ka qenë një zyrtar i lartë në policinë e shtetit. Në fund ishte në Berat, ku u përjashtua nga struktura pas zbulimit të serës me kanabis. Por më parë ka qenë në Shkodër, shef krimesh. Emri i tij del në dosjen e atentatit të Dorjan Dhulit dhe Ibrahim Licit, rival i Bajrave.

Astmer Bilali
Ish-boksier i Vllaznisë, anëtar i bandës së Bajrave që disa vite më parë iu ekzekutuan në derë të shtëpisë babai dhe xhaxhai, Astrit dhe Ibrahim Bilali. Ende nuk dihet akuza konkrete kundër tij.