Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka iniciuar mocion mos-besimi ndaj qeverisë Kurti, pas ngjarjeve të muajve të fundit në veri të vendit dhe sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, beson se vetëm mocioni ndaj qeverisë Kurti, e zgjidh situatën e krijuar pas tensioneve në veri të vendit.
“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për Kryeministrin Kurti. Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit, i pari është rrezikimi i sovranitet dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA dhe BE. Do të fillojmë diskutimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situata të krijuar. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunojë me ShBA, ka bërë një plan të vetin, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën, po ka nxit një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë”, ka thënë Haradinaj një muaj më parë.
Ndërkohë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës janë shprehur se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvend, pa u shpërbërë legjislatura aktuale.
Edhe zyrtarë në LDK janë pro rrëzimit të qeverisë.
Por, rrëzimi i Kurtit, sipas ish-deputetit nga LDK-ja Adem Salihaj, është i papranueshëm për popullin e Kosovës.
Për gazetën “Bota sot”, Salihaj ka hedhur akuza të rënda ndaj opozitarëve të tanishëm, duke thënë se sa ishin në pushtet, ata kanë bërë gabime të mëdha në dëm të Kosovës.
Sipas saj, opozita ka mungesë idesh dhe programi.
“Opozita nuk ka asnjë çështje të rëndësishme, të cilën duhet ta mbrojë apo ta çojë përpara. Ka mungesë totale programi dhe idesh. E vetmja kauzë është rrëzimi i qeverisë dhe marrja e pushtetit me çdo çmim, edhe duke sakrifikuar interesat e rëndësishme të Kosovës. Partitë opozitare, të cilat kanë qenë në pushtet, kanë bërë gabime të mëdha dhe i kanë dëmtuar rëndë interesat më vitale të Kosovës, deri te cenimi i territorit dhe statusit të shtetit. Në anën tjetër, asnjëherë nuk janë penduar dhe distancuar nga këto veprime të së kaluarës. Rrëzimi i Kurtit dhe rikthimi te ato metoda nuk janë të pranueshme për popullin e Kosovës. Prandaj edhe po dështojnë në vazhdimësi”, ka deklaruar Adem Salihaj në një intervistë për gazetën “Bota sot”.