Ish-kryeministri Sali berisha është marrë si i pandehur nga drejtësia, pasi akuzohet për korrupsion, në lishje me dosjen për privatizimin e ish-komplkesin “Partizani”.
Ai akuzohet se ka ndërhyrë për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet pas hekurave në qelinë e burgut 313 në Tiranë.
Nisjen e hetimeve për Berishën dhe arrestimin e Malltezit e urdhëroi e njëjta prokurore, pikërisht Enkeleda Millonai është Prokurorja, e cila ka një karrierë të gjatë në institucionin e akuzës.
Në vitin 2003 përfundoi studimet në Juridik ndërsa një vit më pas, në 2004 mori titullin avokate. Në vitet 2003-2004 ajo e nisi karrierën si sekretare gjyqësore në gjykatën e Tiranës. Më pas nga viti 2004 deri në 2006, kreu të njëjtën detyrë në gjykatën e krimeve të rënda që sapo ishte krijuar nga fillimi me qëllim goditjen e krimit të organizuar.
Krahas punës në institucionet e drejtësisë, ajo vijoi arsimimin dhe në vitin 2008 emërohet si prokurore stazhi në prokurorinë e Tiranës në Seksionin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar për tu emëruar përfundimisht si prokurore në vitin 2009. Pas katër vitesh në këtë detyrë, ajo komandohet me urdhër të prokurorit të përgjithshëm në Njesinë e Hetimit të Korrupsionit dhe Pasurisë në Tiranë. Në periudhën prill 2014-shtator 2015 Enkeleda Millonai emërohet në Njësisë e Përbashkët Hetimore në prokurorinë e Elbasanit, si zv.drejtuese e më pas si titullare.
Nga kjo detyrë, ajo u komandua si numri dy i prokurorisë së Elbasanit në periudhën mars 2016-nëntor 2016, një kohë e ngarkuar me ngjarje të rënda. Një prej ngjarjeve të hetuara prej saj ishte ajo e tregut agro-ushqimor ku një makinë me efektiva policie u godit nga persona me precedent penalë. Millonai këmbënguli se bëhej fjalë për një krim të rëndë. Detyrën në Elbasan e vijoi deri në vitin 2017 kohë kur u bë pjesë e grupit të punës për reformën në drejtësi të krijuar nga prokuroria e përgjithshme. Më 14 qershor 2019, Millonai kaloi procesin e vettingut pasi mori vlerësim pozitiv në tri kriteret duke u konfirmuar në detyrë pasi vendimi nuk u apelua në KPA. Në po atë vit, ajo u përfshi në garën për tu emëruar në SPAK të cilën e kaloi me sukses duke qenë pjesë e grupit të parë të prokurorëve që krijuan këtë strukturë. Nga viti 2019 Enkeleda Millonai është pjesë e prokurorisë së posaçme ku ka hetuar disa dosje të trajtuara nga SPAK mes të cilave edhe procedimi për Arben Ahmetajn ku përfaqëson akuzën edhe aktualisht.
Millonai ka edhe një karrierë akademike, si pedagoge part-time në Universitetin e Elbasanit, ku jep lëndën etikë dhe legjislacion ndërsa pranë shkollës së magjistraturës, jep leksione për disa tema si Veprat penale të lidhura me shoqëritë tregtare, Veprat penale që lidhen me korrupsionin, praktikat e mira mbi hetimin dhe gjykimin e veprave korruptive, Korrupsioni dhe krimi i organizuar, veprat penale në fushën e tatimeve; teknikat e hetimit proaktiv, teknikat për hetimin e trafikut të drogës; etj. Gjatë karrierës së saj Enkeleda Millonai ka kryer disa trajnime, mes të cilave nga Departamenti i Thesarit në Itali dhe Komisioni Europian me temë Prezantim mbi legjislacionin dhe teknikat e hetimit në kuadrin e luftës kundër falsifikimit të monedhave.
Në vitin 2016 Millonai ka qenë pjesë e trajnimit të zyrës së BE OLAF dhe bankës kombëtare kroate në prezantimin mbi legjislacionin dhe teknikat e hetimit në kuadrin e luftës kundër falsifikimit të monedhave. Në vitin 2015 Millonai ka marrë pjesë në SHBA në trajnimin e Departamentit të Shteteve te Bashkuara, Akademia Nderkombëtare e Zbatimit të Ligjit me temë lufta kundër korrupsionit.
Po kështu në Tiranë, ajo ka marrë pjesë në tryezën e Departamentit të Shtetit Amerikan me Agjentët e FBI për Teknikat e Hetimit me Agjentë të Infiltruar. Në vitin 2015 nga Pameca IV ka marrë pjesë në trajnimin për praktikat më të mira të eksperiencës së BE-së në konfiskimin e aseteve pa dënim. Enkeleda Millonai është diplomuar edhe në Gjuhë angleze në Universitetin e Tiranës dhe zotëron edhe gjuhën italiane. Përfshirja e saj në hetimin e dosjes së privatizimit të ish kompleksit Partizani u bë duke zëvendësuar Altin Dumanin, as emërimit të tij në krye të SPAK. Deri në këtë fazë ajo ka mbrojtje si gjithë prokurorët e tjerë të prokurorisë së posaçme, pa masa shtesë të posaçme.