Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policët u rrëmbyen gjersa ishin duke ngrënë drekë nga 15 pjesëtarë të forcave të sigurisë së Serbisë

Rrëmbimi i tre policëve brenda territorit të Kosovës ka ngjallur reagimin e ashpër të zyrtarëve vendorë, gjersa të martën kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla kanë shpalosur detaje të rastit pasi ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka takuar tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe.

Kurti në një konferencë për media bëri të ditur se ambasadori Jashari të martën ka takuar ndaras të tre policët, të cilët rrëfimin për ngjarjen e kanë pasur të njëjtë.

Kryeministri ka bërë të ditur se policët në momentin e rrëmbimit kanë qenë duke ngrënë drekë, kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe i kanë rrëmbyer.

“Që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë.

“Ne jemi në të drejtën tonë dhe dëshmitë që posedojmë dokumentojnë qartë se policët ishin brenda territorit të Kosovës kur u rrëmbyen. Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por rrëmbim në Kosovë. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës. Ata që pretendojnë se policët janë arrestuar në Serbi duhet ta shpjegojnë se si lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë gjetur një kilometër larg kufirit në pjesën veri-perëndimore, 670 metra larg në veri-lindje nga kufiri me Serbinë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti: Jam i gatshëm për takim në Bruksel, të paraqes të dhënat për rrëmbimin e policëve

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar të martën se është i gatshëm që të shkojë në takimin e radhës në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se është i interesuar për t’i paraqitur hollësisht të dhënat të cilat i posedojnë institucionet e Kosovës lidhur me rrëmbimin e tre policëve nga autoritetet serbe.

Sipas tij, de-eskalimi i situatës së krijuar në veri të vendit nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë.

“Do të komunikoj edhe me Brukselin dhe jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel në mënyrë që të paraqes hollësisht këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që de-eskalimi i situatës të cilin po kërkojnë të gjithë, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, ka shtuar se normalizimi mes dy vendeve nënkupton zbatimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të Marrëveshjes bazike

U rrethuan nga 15 persona, i dërguan në Rashkë e pastaj në Beograd – Gërvalla shpalos detaje nga biseda e tre policëve me ambasadorin Jashari

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e vendit ka shpalosur detajet nga takimi i ambasadorit Jetish Jashari me tre zyrtarët policorë që po mbahen në qendrën e paraburgimit në Kralevë.

Gërvalla ka treguar se takimi i ambasadorit Jashari me tre oficierët, Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa ka zgjatur 15 minuta me secilin prej tyre.

“Takimet janë mbajtur të ndara nga 15 minuta secili, dhe ata kanë treguar ngjarjen e rrëmbimit të tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja ka ndarë detaje nga biseda që kanë pasur tre oficerët me ambasadorin Jashari.

“Ata kanë theksuar si në vijim: Më 14 qershor rreth orës 12:30 minuta duke ngrënë drekën papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Serbisë, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe pastaj me thes në kokë i kanë dërguar tek makinat e tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja ka shtuar se zyrtari policor Beqir Sefa ka theksuar se disa nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë kanë shkrepur armët në ajër.

“Në momentin e kidnapimit ata kanë qenë duke ngrënë drekë në tavolinën e improvizuar e cila menjëherë është afër gropës së parë dhe 15 metra larg gropës së dytë. Gropat hapen për të bllokuar kalimin përmes rrugëve ilegale. Të dyja gropat janë brenda territorit të Kosovës, sepse ne nuk hapim gropa në territorin e Serbisë”, ka treguar tutje Gërvalla.

Ministrja e MPJD-së, ka shtuar se pas kidnapimit ata janë dërguar brenda territorit në Rashkë ku pas një ore kanë ardhur forcat tjera të Serbisë dhe i kanë dërguar në Beograd, ku janë mbajtur deri më 16 qershor ku ka skaduar afati prej 48 orësh i mbajtjes në polici.

“Kanë treguar se nuk janë maltretuar fizikisht, mirëpo nuk iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm vetëm nga një copë bukë. Ndërkaq Shem Mustafa i cili ka probleme kronike shëndetësore i është dhënë vetëm një injeksion dhe një pompë me frymëmarrje. Nga momenti i shqiptimit të paraburgimit ata janë vendosur në Kralevë, janë në dhoma të veçanta. Sipas tyre trajtimi është korrekt, u jepet ushqim në baza të rregullta ditore edhe pse cilësia është jo e mirë”, tha Gërvalla.

Gërvalla shtoi se Shem Mustafa ka treguar se ende i mungojnë medikamentet bazike dhe se kjo po ja vështirëson qëndrimin në burg.

“Ata janë takuar edhe me avokatët mbrojtës. Ju është thënë se mund të vizitohen nga familjarët e tyre ditën e premte”, tha Gërvalla.