Në orët e vona të mbrëmjes të së hënës, persona të dyshuar kanë sulmuar me mjet shpërthyes komunën në Mitrovicë të Veriut.
Drejtori i Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës, Baki Kelani njofton se dyshohet se mjeti shpërthyes ka qenë granatë dore.
Kelani njofton se nuk ka lëndime në njerëz, por ka dëme materiale në dy vetura.
“Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjet shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granatë dore, me ç’rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare. Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveçç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë”, theksoi ai.
Kelani theksoi se “në konsultim me prokurorin kompetent është inciuar rasti ‘kryerja e veprës terroriste’”.
Ai shtoi se “Policia e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në ofrim të sigurisë dhe parandalim të akteve të tilla kriminale ndaj zyrtarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”.