Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka njoftuar se në katër komunat në veri të vendit, më 21.04.2024 do të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të tanishëm komunalë.
KQZ-ja bëri të ditur se në katër komunat veriore, në listën votuese janë 46 mijë e 556 njerëz, apo 1 mijë e 461 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023.
Më 3 prill, KQZ-ja ka miratuar qendrat e votimi, ku kanë qenë 43 sosh, por pas raportimeve të Sekretariatit të KQZ-së, u bë e ditur se nga 43 qendra, 33 prej tyre, që janë shkolla, drejtorët e tyre kanë refuzuar dhënien e tyre në përdorim për procesin e votimit.
Ndërsa, Sekretari i KQZ-së, Burim Ahmetaj, bëri të ditur se pas refuzimit të drejtorëve të shkollave, numri total i qendrave të votimit është 23, ndërsa janë 63 vendvotime dhe katër qendra të votimit me kusht. Ahmetaj bëri të ditur po ashtu se tashmë ka nisur edhe procesi i transportimit të materialit zgjedhor në qendrat e votimit ku pritet të fillojë nesër në ora 07:00.
Mirëpo, si do të organizohet votimi të dielën në veri? A do të insistohet mbajtja e votimit në shkolla apo do të zëvendësohen qendrat e votimit me kontejnerë? A mund të ketë ndonjë eskalim të situatës përgjatë procesit? Sa janë të përgatitura institucionet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve?
Nrecaj: Freedom House ka treguar se Kosova është vendet që radhitet në organizim të mirë dhe demokratik të zgjedhjeve
Lidhur me këtë ҫështje për ‘Bota sot’ ka folur juristi Anton Nrecaj. Ai thotë se, barra dhe përgjegjësia ligjore për organizimin e zgjedhjeve natyrisht se bie mbi KQZ, dhe sa i përket mbarëvajtjes se sigurisë bie mbi policinë e Kosovës.
Anton Nrecaj
“Mbajtja e zgjedhjeve do duhej të organizohej në objektet shkollore, por për mbajtjen e në këto objekte paraprakisht do duhej të ketë një analizë nga organet e sigurisë nëse do të ishte e sigurt organizimi i zgjedhjeve nëpër objekte shkollore”, vlerëson ai.
Nrecaj sa i përket mundësisë së eskalimit të situatës, thotë se përveq Policisë së Kosovës, në veri për sigurinë do të kujdeset edhe KFOR-i.
“Natyrisht situata në veri është e brishtë dhe në çdo situatë të tillë mund të ketë edhe eskalim por që rastin e veriut të vendit përpos policisë së Kosovës që do kujdeses për siguri të dielën duhet të jenë në prezencë të shtuar edhe forcat e KFOR-it”, thotë ai.
Ndërkaq, lidhur me përgatitjen e institucioneve për mbajtjen e zgjedhjeve, juristi Nrecaj thotë se Freedom House ka treguar se Kosova renditet tek vendet e organizimit të mirë të zgjedhjeve.
“Sa i përket përgatitjes së institucioneve të Kosovës respektivisht KQZ – së bazuar në raportin e fundit të Fredom House ka treguar se Kosova është vendet që radhitet në organizim të mirë dhe demokratik të zgjedhjeve”, tha ai.
Burjani: Sipas të gjitha gjasave dalja do të jetë simbolike, por do të ishte që të befasohemi për daljen e kërkuar ligjore
Blerim Burjani
Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe juristi Blerim Burjani. Ai thekson se, organizimi i zgjedhjeve është i rëndësishëm, ndërsa nëse bëhet në kontenjerë, do të thotë jemi kthyer dekada prapa.
“Organizimi teknik ka rëndësi të madhe për legjitimacion, qendrat e votimit janë objektet legjitime, shtypja e fletëvotimeve, komisionerët dhe procesi i vëzhgimit me subjekte te akredituar. Nëse bëhet në kontejnerë do thotë jemi kthy në vitin 2010”, vlerëson ai.
Juristi Burjani thotë se shkollat duhet të hapen për votime, por në rast tensioni duhet gjetur alternativa tjera.
“Tash obligim kushtetues dhe ligjor, votimi duhet të hapen shkollat, tash nëse vlerësohet tensionimi mund të shkohet në formë alternative. Përgatitja është bërë në përputhje me gjendjen politike atje, koha për organizim teknik ka qenë e mjaftushme”, thotë ai.
Burjani thotë për ‘Bota sot’ se, dalja mund të jetë simbolike, mirëpo mbetet të shihet se ҫfarë mund të ndodhë.
“Duhet ikur konfliktit, tash sipas të gjitha gjasave dalja do të jetë simbolike, por do të ishte që të befasohemi për daljen e kërkuar ligjore. Mbetet të shihet se ҫfarë do të ndodhë”, përfundoi ai.