Pas kërcënimeve nga ministri i mbrojtjes së Beogradit, Millosh Vuçeviq për një rieskalim të situatës në veri të Kosovës, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani tha se policia e Kosovës është e gatshme të intervenojë ndaj të gjitha rasteve të cilat mund ta cenojnë sigurinë publike.
Elshani gjithashtu shtoi se PK ka trupa të mjaftueshëm për të reaguar në çfarëdo situate dhe janë të gatshëm të shtojnë trupat e tyre.
“Policia e Kosovës është e gatshme që të reagojë ndaj rasteve, që mund të ndikojnë në prishje të rendit dhe prishje së qetësisë publike me të gjitha kapacitetet e saj, numri i 25% te policëve janë tërhjek në ndërtesa të komunave dhe rreth komunave përndryshe ne kemi numra të mjaftueshem në gjithë territorin e veriut të Kosoves dhe nëse ka nevojë në sjellim numra të tjerë shumë shpejt sepse jemi afër,… nëse ka nevojë që situata del nga kontrolli në ndonjë rast të caktum në sjellim numra të tjerë”, tha ai.
Po ashtu kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot gjatë një konference për media tha se që një kohë nuk ka tensione në veri dhe Kosova veçse ka reduktuar praninë policore atje.