Autoritetet iraniane e kanë nisur të dielën një fushatë të re për t’i detyruar gratë që ta vendosin mbulesën në kokë.
Policia e moralit është kthyer në rrugë 10 muaj pas vdekjes së një gruaje sa ka qenë nën mbajtje, Mahsa Amini, me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.
Vdekja e saj ka nxitur protesta mbarëkombëtare, në të cilat është bërë thirrje që të rrëzohen nga pushteti klerikët fetarë.
Në kohën e protestave Policia e moralit është tërhequr, pasi autoritetet nuk kanë arritur t’i kontrollojnë protestat masive.
Mirëpo me kalimin e kohës ato janë shtypur, dhe për pasojë janë vrarë mbi 500 njerëz dhe mbi 20.000 janë arrestuar.
Megjithatë, shumë gra kanë vazhduar të mos e respektojnë kodin e veshjes, sidomos në kryeqytet, në Teheran.
Udhëheqësit klerikë e konsiderojnë vendosjen e hixhabit si diçka të detyrueshme.
Të dielën, gjenerali Saeed Montazerolmahdi, zëdhënës policor, ka thënë se Policia e moralit do të rinisë shqiptimin e vërejtjeve dhe më pas arrestimin e grave që nuk e vendosin hixhabin në publik.
Në Teheran, pjesëtarë burra dhe gra të Policisë së moralit janë parë duke patrulluar në rrugë. /REL