Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë konfiskuar bomba, armë dhe pancira gjatë një bastisje në një shtëpi në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, pronar i shtëpisë e cila gjendet prapa shkollës ‘Sveti Sava’ në veri të Mitrovicës, është Aleksandar Jakshiq, i cili ka arritur t’i ikë policisë.
Mësohet se personi në fjalë është i njohur si diler i narkotikëve, ndërsa policia është në kërkim të tij.
KosovaPress-i ka kontaktuar me zëvendës drejtorin e policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka konfirmuar bastisjen, por nuk ka dhënë asnjë detaj tjetër, duke thënë se aksioni është duke vazhduar ende. /A. Damati/