Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia: I morëm që në maj kallëzimet për guroren në Krujë! Po pse nuk vepruat?

Familjet e fisit Maja, të Bilbilit dhe Jasharit që u dhunuan nga familja e deputetit Rraja, por edhe banorët e tjerë të Krujës, konkretisht të fshatit Borizanë deklaruan disa herë se kanë bërë disa denoncime por akuzuan policinë se nuk i ka marrë. Por policia e shtetit në një reagim, thotë se i ka marrë të gjitha denoncimet që në muajin maj, i ka regjistruar dhe i ka çuar në prokurori duke u shfajësuar. Por pyetja që shtrohet është nëse i ka marrë denoncimet përse nuk ndaloi aktivitetin e gurores që do të parandalonte edhe dhunën më pas?

Deklarata e Policisë së Shtetit

1.Policia e Krujës, në përmbushje të plotë të detyrave funksionale, pas denoncimit të bërë nga shtetasi B. M., për shkatërrim të pronës, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore, dhe më datë 05.05.2023 ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1408, materialet procedurale prej 20 faqesh, mbi këtë kallëzim. Materialet procedurale të referuara përfshinin informacionin e referimit të veprës penale, procesverbalin e kallëzimit, procesverbalin e këqyrjes së vendit, procesverbalin e deklarimeve dhe procesverbalin e këqyrje-marrjes së provave materiale.

2.Në vijim, si rezultat i veprimeve konkrete hetimore dhe procedurale të kryera mbi këtë kallëzim, Policia e Krujës, më datë 10.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466, materialet procedurale prej 186 faqesh, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Materialet e para procedurale përfshinin referimin e veprës penale, procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalet e këqyrjes së banesave, procesverbalet e deklarimeve të personave që kanë djeni, vendimin për caktimin e ekspertit dhe për caktimin e ekspertimit teknik, si dhe procesverbalin për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve.

3.Gjithashtu, në vijim të veprimeve policore për këtë rast, Policia e Krujës, më datë 30.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466/1, materiale procedurale shtesë të kryera në funksion të dokumentimit të plotë ligjor të këtij rasti.

Theksojmë se Policia e Krujës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë rast, me paanshmëri dhe konform ligjit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës. Kallëzimi i marrë për këtë rast, si dhe çdo indicie tjetër, janë trajtuar në zbatim të procedurave standarde të punës dhe çdo material procedural i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e hetimeve të thelluara.

/5pyetjet.al