Policia ka dhënë një informacion zyrtar lidhur me shpërthimin e sotëm në një magazinë në qytetin e Lushnjes, ku mbeti i plagosur edhe deputeti socialist Bujar Çela.
Sipas policisë, rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.
Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V. (Landi Veçani), dhe janë plagosur 8 shtetas të tjerë, mes tyre dhe deputeti Bujar Çela, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.