Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia nis hetimet për mbishkrimet nacionaliste serbe mbi shtëpitë e rindërtuara në Kroin e Vitakut

 
   

Është drejt përfundimit të ndërtimit.

Por, muret e kësaj shtëpie në Kroin e Vitakut në Mitrovicë të Veriut, u mbushën me mbishkrime nacionaliste.

Financimin e ndërtimit të kësaj shtëpie dhe të tjerave përreth po e bën Qeveria e Kosovës.

Andaj, në terren të enjten doli ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me të parin e ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi nga ku përçuan mesazh se nuk do të zmbrapsën nga kërcënimet e tilla.

“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste, të cilat nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Çfarëdo gjuhe e urrejtës ndëretnike, çfarëdo gjuhe që ndjellë dhunë është e dënueshme. Aktorët do të zbulohen dhe do të vihen para drejtësisë. Siç e kemi thënë edhe më herët, për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë”, tha ministri Sveçla.

Ndërsa, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se më këto veprime Serbia po tregon se nuk është e interesuar për normalitet.

“E drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre është e drejtë për secilin qytetar, është e drejtë elementare dhe Qeveria e Kosovës do ta garantojë këtë drejtë. Vitin që e lamë pas si qeveri kemi filluar ndërtimin e mbi 40 shtëpive në katër komunat veriore. Sigurisht se këto grafitë tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe nuk është e interesuar që të ketë orientimin evropian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia”

Për këto mbishkrime, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, thotë se kanë filluar hetimet.

“ Është një rast dëmtim kriminal, dhe nxitje e urrejtjes të Kroi i Vitakut, nuk kemi të dyshimtë jemi duke u marrë me hetimin e rastit, me rëndësi është se shtëpitë janë duke u ndërtuar, nuk ka problem” , ka thënë Elshani.

Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka ndarë 1 milion euro në fazën parë të rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në katër komunat veriore.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka bërë te ditur se shumë shpejtë do të hapet thirrja e re në vlerë prej 3 milion euro për ndërtimin e shtëpive të reja në veri të vendit.