Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia po interviston të dyshuarin dhe familjarët – Detaje të reja rreth vrasjes së gruas në Pejë

“E vrava gruan”, ishin fjalët e para që dyshohet se Edmond Lajqi, u tha policëve në stacionin policor në Pejë, mëngjesin e së martës.

Ai dyshohet se rreth orës 08:15 të mëngjesit në banesën e tyre, vrau me armë zjarri gruan e tij, Gjyljeta Ukella.

Lajqi u vetëdorëzua në polici, derisa vendit iu shtua edhe një grua viktimë e burrit të saj.

Aktualisht i dyshuari Edmond Lajqi, gjendet në stacionin e Policisë në Pejë dhe po intervistohet nga zyrtarët hetues dhe prokurori i rastit.

Po ashtu, përveç Lajqit, janë duke u intervistuar edhe familjarët e tij dhe të viktimës, për të hetuar në detaje mbi motivet që mund ta ketë çuar ta kryej krimin.

Pas disa orësh pritet që Prokuroria e Pejës të dalë në konferencë për media për të shpalosur të gjeturat e tyre të deritashme mbi motivin dhe rrethanat që cuan në vrasjen e Gjyljeta Ukellës.

Krimi dyshohet se ndodhi në banesën e tyre, në qendër të qytetit të Pejës.

“Kryeprokurori dhe prokuroret janë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se ka ndodhur një rast i vrasjes në qendër të qytetit në një banesë. Dyshohet se bashkëshorti ka vrarë gruan e tij. Personi i dyshuar është arrestuar nga policia dhe i është konfiskuar arma. Jemi duke pritur Institutin e Mjekësisë Ligjore që ta tërheq trupin”, ka thënë Shkodran Nikçi.

Gruaja që u vra nga burri i saj kishte tre fëmijë me të.

Deri më tani nuk dihen motivet e kryerjes së këtij akti të rëndë kriminal.

Por, i dyshuari Edmond Lajqi, raportohet se ka të kaluar kriminale.

Dyshohet se në vitin 2021 ishte i dënuar për dhunë në familje.

Dënimi ndaj tij ishte qesharak. Lajqi u dënua me vetëm 400 euro gjobë.

Derisa, reagimet janë të mëdha. Sidomos thirrje për mbrojtje të grave.

Kjo pasi që numri i viktimave gra burrat e tyre është në rritje.

Po ashtu, në shumicën e rasteve, viktimat i kanë raportuar në organet shtetërore, dhunën dhe maltretimet nga ana e bashkëshortëve të tyre. Dhe se shteti po vazhdon që të dështojë për t’u ofruar siguri grave të dhunuara fizikisht nga bashkëshortët. Rrjedhimisht, përfundimi i rasteve me fatalitet – sikur ky i sotmi – po shihet dukuri shqetësuese dhe në rritje.