Policia ka identifikuar autorin e atentatit të ndodhur dje ( 14 dhjetor) në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, ndaj Rudolf Zefit dhe vëllait të tij. Sipas bluve autori është Andrea Bregasi, 31 vjeç dhe banues në Tiranë ndërsa dhe ka vënë shpërblim për “kokën” e tij. Policia ka vendosur 5 mijë euro shpërblim për çdokënd që jep informacione për kapjen e autorit.
Tiranë Lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 14.12.2023, rreth orës 06:50, në rrugën “Don Bosko”, ku një person që lëvizte i vetëm në këmbë, ka qëlluar disa herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit “Benz”, me drejtues shtetasin R. Z., dhe pasagjerë shtetasit R. Z., dhe R. Z., ju informojmë se: Strukturat e DVP Tiranë, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, pas kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, dhe informacioneve të marra nga inteligjenca policore, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi Andrea Bregasi, i ditëlindjes 09.12.1992, banues në Tiranë.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.