Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka berë të ditur se është arrestuar Drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit njëherit djali i Zëvëndësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviq.
Sveçla theksoi se Radimiroviq është arrestuar nga policia e Serbisë dhe së bashku me të fejuarën e tij po mbahen në stacionin e policisë serbe në Rashkë.
Ai tha se ky arrestim vjen vetëm se Nikolla është pjesë e institucioneve të Kosovës.
Ndërsa, ka kërkuar nga Beogradi që t’i lirojnë urgjentisht dhe të ndalojnë presionet.
Postimi i plotë:
Drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit njëherit djali i Zëvëndësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviq, është arrestuar sot nga policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë. Ai së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se së bashku me babain e tij në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tyre.
Ky arrestim i padrejtë është edhe një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas suksesit të Kosoves të arritur dje dhe dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030.
Kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj.