Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia s’tregon nëse janë shtuar dorëheqjet e policëve serbë, hesht BE-ja

 
   

Shtatë është numri zyrtar i policëve të rinj serbë që brenda javësh kanë hequr dorë nga uniforma e Policisë së Kosovës.

Largimi i tyre veç pak javë pas rekrutimit u pa me shqetësim nga ndërkombëtarët, bashkë me presidenten Vjosa Osmani e cila gishtin e drejtoi kah Beogradi, si nxitës i këtyre veprimeve.

Por tash që zyrtarisht dihet se kanë mbetur edhe 39 policë nga ky komunitet që vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin në këtë institucion të sigurisë, Policia nuk ka treguar nëse ka pasur largime të tjera apo indikacione për dorëheqje.

I heshtur në pyetjet e televizionit Dukagjini ka qëndruar edhe Bashkimi Evropian.

Por pikërisht reagimin e ndërkombëtarëve, madje të ashpër ndaj Serbisë po e kërkon ish-drejtori i Policisë, tash deputet i PDK-së, Rashit Qalaj.

Ai thotë se Kosova e ka të pamundur të bëjë diçka në këtë drejtim.

“Është mjaft vështirë të thuhet që duhet të bëjmë diçka apo shteti i Kosovës duhet të bëjë diçka që ta parandalojë dorëheqjen e tyre, pasi dorëheqja është akt vullnetar, edhe pse ne dimë të gjithë se policët që janë dorëhequr edhe para 1 viti e gjysmë, e kanë bërë me urdhër me diktat nga shteti i Serbisë dhe strukturat tjera. Ajo që mbetet është që faktori ndërkombëtar, ndërmjetësuesit Lajcak, Borell por edhe Escobar, t’i bëjnë presion të madh Serbisë”, ka deklaruar Rashit Qalaj, deputet i PDK-së.

Se reagimi ndërkombëtar është i nevojshëm pajtohet edhe ish-zëvendësministri i Brendshëm, Selam Shkodra, veçse sipas tij, barra kryesore për sigurinë e qytetarëve të të gjitha komuniteteve i bie shtetit të Kosovës.

“Kjo mund të evitohet duke marrë masa të sigurisë ndaj familjarëve të tyre dhe vetë atyre,  në veri të vendit nga institucionet e sigurisë së Kosovës dhe njëherit duke protestuar në qendrat e vendosjes, sic është Brukseli dhe Washingtoni, në mënyrë që ndërmjetësit e tyre ti tregojnë Beogradit njëherë e përgjithmonë se, është duke punu në vazhdimësi për destabilizim”., ka deklaruar Selam Shkodra, ish-zëvendësministër i Brendshëm.

Pas vendimeve të qeverisë që preknin komunitetin serb, në nëntor të vitit të kaluar të gjithë zyrtarët policor serbë dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre.