Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Politikani serb tregon ku janë zyrtarët e Listës Serbe

 
   

Kryetari i Forumit Kombëtar Serb të Kosovës, Momçilo Trajkoviq ka thënë se zyrtarët e Listës Serbe janë larguar nga Kosova.

Trajkoviq për mediet serbe është shprehur se ikja e tyre ka bërë që mos të ketë mesazhe të qarta nga Beogradi.

“Kjo është disfata e politikës serbe në Kosovë. Nëse nuk bëhet diçka, serbët e [Albin] Kurtit do të dalin në skenë”, thotë Trajkoviq.

Po ashtu, ai pati thënë se Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e autoritetet në Beograd, tashmë e “ka humbur mbështetjen e popullit“.

Lidhur me këtë, Trajkoviq ka paralajmëruar që janë duke punuar për ta riaktivizuar Këshillin Kombëtar Serb, i cili është planifikuar për 26 gusht.

Po ashtu, deputeti i Kuvendit të Serbisë, Mirosllav Aleksiq ka pohuar se serbët në Kosovë janë të zemëruar me Listën Serbe.

“Janë të zemëruar me listën Serbe dhe mua më duket se gjithnjë e më shumë prej tyre janë të zemëruar si me Aleksandar Vuçiqin ashtu edhe me regjimin në Beograd. Ata e ndjejnë se janë tradhtuar, të lënë pas dore. Këtë e kam dëgjuar në rrugë, në barrikada, nga profesorët, pensionistët, nga të gjithë”, ka thënë Aleksiq.

Lista Serbe është duke u tronditur pasi serbët e Kosovës tani nuk po i binden kësaj partie. Pas trazirave të fundit në veri të Kosovës, të shkaktuara nga grupet kriminale serbe, për herë të parë liderët e Listës Serbe janë fyer e akuzuar publikisht, ndërsa ndaj tyre janë drejtuar edhe fjala si “tradhti, tradhti”.

Për gjatë kësaj periudhe së pushtetit absolut në zonat serbe në Kosovë, kjo parti udhëhoqi protesta dhe ngriti barrikada të shumta me qëllim të kundërshtimit të autoriteteve të Republikës së Kosovës.

Në një video të datës 13 qershor, të publikuar në rrjetin social rus Telegram, përkatësisht në kanalin “Slovenski Medved”, thuhet, “serbët po nisin kryengritje kundër Listës Serbe”, me apelin “Shpërndajeni këtë obligim”.