Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Politologia shqiptare: Vizita e Pistorius, sinjal i qartë për Serbinë e Rusinë

 
   

Politologia shqiptare që vepron në Gjermani, Vjollca Hajdari ka thënë se vizita e ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius ka një rol të rëndësishëm për Kosovën.

Ajo në një intervistë në magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK, ka thënë se vizita e Pistorius në Kosovë ka qenë një sinjal për Serbinë dhe Rusinë.

“Gjermania ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka qenë më aktivja në kuadër të KFOR-it,  ka qenë shteti që ka mbajtur më së shumti migrantë shqiptarë, e pastaj edhe refugjatë dhe tani njerëz nga Kosova me viza pune. Duke parë se Rusia ka bërë një invazion të madh mbi Ukrainën, vizita e ministrit gjerman të Mbrojtjes është edhe një sinjal që shkon drejtpërdrejt te Putini, por në veçanti në drejtim të Serbisë”, ka theksuar Hajdari.

Sipas saj për momentin Gjermania e sheh rolin e stabilitetit dhe paqes si një nga faktorët më të rëndësishëm në rajon.

”Vizita e zyrtarëve gjermanë në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi e Kosovë është një sinjal i qartë për Serbinë dhe indirekt për Rusinë që të mos provokojnë një eskalim të mëtejshëm në Kosovë dhe Ballkan në përgjithësi”, ka shtuar Hajdari, e cila është njohëse e mirë e diplomacisë gjermane, duke pasur parasysh se ka punuar edhe në kabinetin e kancelarit Olaf Scholz.

Ndërkaq, Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes së Kosovës po ashtu e ka vlerësuar vizitën e Pistorius si shumë të rëndësishme.

“Kjo vizitë është e rëndësisë së veçantë sepse Gjermania është shtet i fuqisë së veçantë dhe që ka ndikim të madh në Evropë dhe botë. Është një shtet i cili ka zhvillim të madh ekonomik dhe të teknologjisë ushtarake”, ka theksuar Syla.

Ai theksoi se në takimet e sotme me Pistorius u bisedua për situatën aktuale, për ndihmat që Gjermania është e gatshme t’i japë Kosovës dhe për gatishmërinë për të shtuar numrin e ushtarëve gjermanë në kuadër të KFORI-it për sigurinë e Kosovës.