Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Politologu: Vizita e Cameronit, shuan zërat nacionalist se do të ketë luftë

 
   

Politologu, Dritëro Arifi, thotë se vizita e ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron, është sinjal i rëndësishëm për Kosovën.

Sipas Arifit, vizita e ish-kryeministrit britanik dëshmon dy gjëra, e që sipas tij e rëndësishme është që i shuan të gjithë zërat nacionalist që do të ketë luftë.

“Prezenca e ministrit të Jashtëm të Britanisë është dëshmi për dy gjëra. E para që Britania po dëshiron me dëshmu  fuqinë e vetë jo vetëm në Ukrainë, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Ballkan. Sepse, këto janë për momentin tri zona për të cilat interesat britanike preken në një formë apo tjetrën. E dyta është për me i tregu të gjithë zërave nacionalist që do të ketë luftë, sepse luftë s’do të ketë. Sepse, Britania për ata edhe është këtu janë ushtarët e NATO-s me i tregu të gjithëve që as mos e provoni”, tha ai.

Politolgu tha se Cameron ka kërkuar rezultat nga Qeveria e Kosovës, pasi sipas tij, perëndimorët duan që Kosovën ta kenë si storie suksesi.

“Jam i bindur që në takimet bilaterale ka qenë pak një zë më i ashpër që ka kërkuar me siguri që Qeveria e Kosovës të përparojë në disa çështje… Duhet të jemi më serioz. Ai ka kërkuar rezultat. Perëndimorët janë njerëz të fjalës, kërkojnë rezultat, sepse po dojnë që Kosovën ta kenë si storie suksesi. Kjo vizitë është sinjal i mirë për Kosovën, por edhe sinjal që kërkojnë përgjegjësi për fjalën e dhënë”, shtoi ai.

Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, vizitoi për herë të parë Kosovën, ku sot nga Prishtina ka premtuar se Britania do të vazhdojë të jetë përkrahëse e madhe e Kosovës.

Ai mes tjerash, deklaroi se prioritet i Britanisë së Madhe është që të ketë siguri dhe paqe ne rajonin e Ballkanit Perëndimor.