Skena politike në Kosovë po vazhdon të karakterizohet me polarizime të skajshme të partive politike.
Zhvillimet në veriun e vendit pas zgjedhjeve të 23 prillit kanë qenë temë kryesore e diskutimit edhe përgjatë ditëve të verës.
Qeveria Kurti, përveç presionit ndërkombëtar dhe propagandës serbe u përball edhe me opozitën e cila nuk u pajtua me asnjë veprim të saj.
Madje, akuzat kanë shkuar aq larg, sa që opozita po kërkon rrëzimin e qeverisë. Ani pse nuk i kanë votat e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë, PDK, LDK e AAK janë të bindura se qeveria Kurti II nuk do ta ketë jetën e gjatë.
Madje nga zyrtarë të këtyre subjekteve është paralajmëruar se muaji shtator do të sjell zhvillime të reja në këtë drejtim.
E lidhur me këto paralajmërime për gazetën “Bota sot” foli publicisti Gani Qarri.
Ai tha se opozita aktuale nuk mund ta ndryshojë gjendjen në vend duke përkrahur qëndrimet e Serbisë kundër shtetit të Kosovës.
Gani Qarri
“Një opozitë e cila si pikë të parë dhe ide me prioritetet për zgjedhje të reja, e ka vendosur vajtimin e ndalimit të targave ilegale serbe në veri, shpalljen e të ashtuquajturave “brigada e veriut” dhe “mbrojtja civile” organizata terroriste, i quan diktaturë, policinë e Kosovës, e krahason me policinë e Millosheviqit, spastrimin e veriut nga bandat e Radojçiqit dhe burgosjen e kriminelëve serb, e quan “okupim”, kjo kurrë nuk mund ta ndryshojë gjendjen në vend, ta rrëzojë Qeverinë, as të arrij të udhëheqë më, me Kosovën, shpirtrat e tyre të shitur, i ka mallkuar populli i Kosovës, dhe nuk do ti lejojë më asnjëherë, të rikthehen në pushtet.
Përderisa fushatës së Serbisë kundër Kosovës, të cilën ditëve të fundit e ka intensifikuar edhe më tepër krimineli Vuçiq, i bashkohet edhe opozita e inkriminuar, përsëritja e deklaratave të saj, se në shtator do ta rrëzojnë Qeverinë, shpreh më së miri, mjerimin e thellë, ku ajo vet, ka rënë, dhe lirisht mund të themi, se prononcimet e tilla, janë vetëm dëshira apo komente propagandistike se gjoja dinë diçka edhe ata për zhvillimet që pretendojnë se do të ndodhin, megjithëse me paralajmërimet e opozitës për rrëzimin e Qeverisë, jo vetëm jemi mësuar tashmë, por edhe jemi bombarduar qysh vitin e kaluar, madje thuhej se pikërisht po në shtator, (të vitit të kaluar) do të rrëzohej Qeveria dhe së paku mbi 20 deputet të pozitës do të kalonin në LDK, gjë që u dëshmua si propagandë dhe gënjeshtër që nuk u realizua asnjëherë”, ka thënë ai.
Publicisti shton se prononcimet e opozitës së “inkriminuar”, për zhvillimet që paralajmëron të ndodhin javët në vijim, të paktën edhe për një kohë, apo derisa të dalë një forcë e re, e mirë-konsoliduar politike, as që mund të realizohen.
“Ndryshimet në Kosovë, është dëshmuar, jo vetëm njëherë, se nuk mund të vijnë nga dëshirat e shprehura veresie të një opozite tërësisht të ç`akorduar, vetëm pse ajo ka arrit ti blejë 1, apo 2 mercenar/e nga pozita, por vendosen me legjitimitetin e qytetarëve, kur ata e duan ndryshimin, në politikën dhe udhëheqjen e vendit të vet, të cilët edhe në gjendjen aktuale që po kalon Kosova, dëshmojnë vërtetë lojalitet të lartë, qëndrim shumë racional e plotësisht të shëndoshë dhe vërtetojnë publikisht, se ata e duan, shumë më tepër Kosovën se sa politikanët labil-pa kurrizor.
Kështu që duke pasur parasysh faktin, se fushatës nga Serbia dhe Vuçiqi, kundër Kosovës, është bërë traditë që çdo herë i bashkohet edhe opozita shqipfolëse në Kosovë dhe solidarizohet pothuajse në çdo pikë me Vuçiqin në Beograd, duke ndërmarrë edhe kjo njëkohësisht me Vuçiqin, fushatë kundër Qeverisë dhe udhëheqjes së shtetit tonë, pa marrë në konsideratë vullnetin e popullit të Kosovës, edhe pse që nga ardhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së, kjo parti u kthye në patericë të Hashim Thaçit dhe ka mbajtur flirt të vazhdueshëm me PDK-në, këtyre edhe po tu bashkohet aleanca e Haradinajt, përsëri ju mungojnë votat dhe janë tërësisht të pafuqishme për të bërë ndryshime”, ka potencuar ai.
Sipas Qarrit, populli i Kosovës, bazuar në situatën aktuale politike në vend, nuk tregon asnjë shenjë, se vërtetë e ka ndërmend ti bashkohet fushatës së Serbisë, siç vepron dhe do të dëshironte opozita dhe argatët e Vuçiqit në vendin tonë.
“Populli nuk i bashkohet opozitës së inkriminuar, që ta rrëzoj Qeverinë e Kosovës, vetëm për hatër të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj shqipfolës në Kosovë, sepse ky popull e di mirë historinë dubioze dhe mënyrën e sundimit arbitrar të tyre, si dhe dëmet e mëdha që të inkriminuarit e tillë, për dy dekada, i kanë shkaktuar Kosovës”, përfundoi ai.