Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim emisionin e pullës postare “Qytetet e Kosovës – Istogu”.
Në njoftimin për media, specifikohet se nëpërmjet këtyre imazheve do të prezantohen vlerat dhe bukuritë natyrore të vendit, duke pasur parasysh turizmin e zhvilluar në këtë qytet.
“Istogu radhitet ndër vendet më të preferuara në Kosovë për tu vizituar nga turistë të shumtë vendorë dhe të huaj. Peizazhet e tij tani shfaqen edhe në pulla postare, të cilat munden t’i blejnë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset për t’i vendosur në zarfet e tyre që do të dërgohen brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
Istogu përndryshe njihet edhe me emërtimin Burimi si dhe ka një histori të lashtë, me gjurmë të qytetërimeve të hershme dhe objekteve arkeologjike. Është i njohur për trashëgiminë kulturore dhe historike, ku bëjnë pjesë edhe aktivitetet tradicionale, festivalet kulturore dhe manifestimet tjera dedikuar ruajtjes së trashëgimisë.