Analisti Xhevdet Pozhari, ka analizuar postimin e fundit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, lidhur me punën e drejtoreshës së Arsimit në komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu, për reformën arsimore.
Pozhari ka thënë se Abdixhiku e anashkaloi krejtësisht punën e kryetarit Përparim Rama, pasi e konsideron si rival për kreun e LDK-së, përcjell Bota sot.
Sipas tij, Abdixhiku është në siklet, pasi në sondazhe ka dalë i treti, pas Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës.
“Me statusin e fundit të Lumirit kuptuam:
– Mundohet në mënyrë artificiale ta ngrisë në qiell qat Jehonën dhe ta identifikojë si model të LDK-së. Pra, e anashkaloi krejtësisht kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
– Lumiri i frikësohet Përparim Ramës sepse e konsideron si rival për kryetar të LDK-së.
– Lumiri nuk ia priton me rrejt, siç veproi para pak ditësh me një rrugë në Istog duke thënë se është investim i nivelit lokal, e në fakt ishte investim i nivelit qendror. Qashtu qysh rrejti sot se mësimi tërëditor është ide dhe vizion i LDK-së.
– Lumiri rren kur e quan mësimin tërëditor “reformë” ngaqë tani është veç pilot projekt dhe duhet t’i kalojë disa faza që më pas eventualisht të shndërrohet në reformë. Qashtu qysh ishte testuar si pilot projekt edhe në vitin 2015.
Me pak fjalë, Lumiri është në siklet. Përndryshe prej së kthjellti nuk rren njeriu kaq ashiqare!
Një prej arsyeve mund të jetë se në sondazhe ka dal i treti, edhe pas Bedri Hamzës”, ka shkruar Xhevdet Pozhari në një postim në Facebook.
Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu, ka njoftuar dje se nga shtatori i këtij viti fillon “reforma arsimore më e madhe e ndodhur ndonjëherë, mësimi tërëditor për nxënësit e kryeqytetit”.
Për këtë reagoi lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili tha se Jehona nuk kaloi verën në vëzhgim të kërcimeve dallëndyshe në Ujman, por ajo zhvilloi konsultime me prindër, bashkoi mësimdhënësit, e kontraktoi renovuesit dhe reforma u realizua.