Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Pozitë e opozitë me qëndrime të ndryshme rreth procesit zgjedhor në veri

 
   

Deputetët e pozitës dhe ata të opozitës janë deklaruar lidhur me procesin zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës. Subjekti në pushtet Lëvizja Vetëvendosje pret që në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor pas shkarkimit të kryetarëve. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehen kritik dhe skeptik për këtë proces, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se nuk duhet të ketë kthim prapa në aspektin e përdorimit të simboleve shtetërore të Kosovës.

Shefja e deputetëve të mazhorancës, Kusari-Lila tha se pret që në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor, nëse shkarkohen kryetarët aktual më 21 prill.

Derisa nënvizoi se nuk pret që përkatësia etnike e kryetarëve të ardhshëm në veri të thotë që apriori e mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe përdhosin simbolet shtetërore të Kosovës.

Kusari-Lila: E rëndësishme është që në katër komunat në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor

“E rëndësishme është që në katër komunat në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor dhe të ketë kandidatë nga subjektet të tjera politike…Ne synojmë dhe shpresojmë që të jemi të suksesshëm në të mirë të demokracisë dhe shprehjes së vullnetit të lirë të gjithë qytetarëve pa dallim, që në katër komunat në veri të ketë një proces zgjedhor që e tregon vullnetin e qytetarëve pa asnjë imponim nga askush. Përkatësia etnike kryetarëve nëse ata zgjedhën nuk do të thotë apriori që ata do të jenë mohues të shtetësisë dhe ekzistencës së Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Por kritik për procedurën e procesit zgjedhor në katër komunat në veri u shpreh shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ai tha se mënyra e shkarkimit të kryetarëve në veri, pa një marrëveshje politike e thellon ndarjen ndër-etnike atje.

Tahiri: Mënyra e shkarkimit të kryetarëve në veri, pas një marrëveshje politike e thellon ndarjen ndër-etnike

Mënyra e shkarkimit të tyre pa një marrëveshje politike, përmes këtij referendumi e thellon edhe më tutje ndarjen ndër-etinike dhe do të vështirësojë më shumë qëndrimin e shqiptarëve që janë në ato pjesë të Kosovës duke jetuar. Është një proces i dëmshëm që nuk do të duhej me ardh në këtë pozicion që na ka sjell zotëri Kurti”, deklaroi Tahiri.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, kërkoi nga institucionet e Kosovës që mos të ketë kthim prapa sa i përket aspektit të përdorimit të simboleve shtetërore të Kosovës në veri.

Gashi: S’duhet të ketë kthim prapa në aspektin e përdorimit të simboleve shtetërore të Kosovës

“Kjo nuk duhet të kthehet prapa. S’duhet të ketë kthim prapa në asketin e përdorimit të simboleve shtetërore të Kosovës. Jam i bindur se institucionet e Kosovës kanë tashmë një momentum tjetër dhe duhet të përdorin në funksion të zbatimit të Ligjit për simbolet shtetërore. Kushdo që i heq ato apo përdhosë simbolet shtetërore të Kosovës atëherë duhet të jetë subjekt i ndjekjes penale ose ligjore”, tha ai.

Më skeptik për procesin zgjedhor në katër komunat veriore u shfaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri: Mund të jemi në situatë të ngjashme pa i zgjidh problemet thelbësore

“Në prill është caktuar peticioni për shkarkimin, pastaj do të ndodhin zgjedhjet, në qershor po thonë dhe pastaj në korrik apo gusht do të mund të jemi në situatë të ngjashme pa i zgjidh problemet thelbësore”, deklaroi Tahiri.

Para gazetarëve, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, foli edhe për vizitën e emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kusari-Lila: Escobar mbetet i angazhuar në procesin e dialogut

“Shqyrtimi i këtij procesi është i zakonshëm në raport me vizitën e tij. Në raport me temat që mund të ngritën, çështja e dinarit apo përdorimit si valutë e brendshme është e qartë se vetëm konvertimi i dinarit apo afatet e lehtësimit të konvertimit mund të diskutohet, pasi në Kosovë është vetëm një valutë. Ajo është euro dhe valutat të tjera konvertohen. Sa i përket kërkesës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese më duhet të ritheksojë se mbetemi të përkushtuar në normalizimin e situatës në katër komunat në veri. Siç po e shohim kohë pas kohe atje ka tendencë dhe potencial për tensione”, tha ajo.

Krahas këtyre, katër partitë parlamentare u shprehën të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve qofshin ato të parakohshme apo të rregullta.

Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e së hënës, me kërkesë të partive opozitare ka vendosur që të enjten të mbahet seancë e jashtëzakonshme sa i përket kontratave njëburimore në Qeverinë e Kosovës.