Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prej këtij muaji, të gjitha faturat do t’u vijnë të mbyllura në zarfe

 
   

30 qershori ka qenë afati i fundit për ndërmarrjet publike dhe private që faturat të vendosen në zarfe, e krejt kjo për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve.

Në njoftimin e AIP-it, thuhet se kërkesa nga ta ishte bërë që në fund të muajit shkurt të këtij viti.

“Kërkesa është adresuar për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre”, thuhet në njoftimin e AIP-it.

Njoftimi:

Agjencia për Informim dhe Privatësi kërkon nga Ndërmarrjet Publike dhe Private Mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve

2 Korrik 2024, Prishtinë

Bazuar në mandatit e saj ligjor, për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, përkatësisht dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ju bën thirrje Ndërmarrjeve Publike dhe Private mbrojtjen e të dhënave personale të qytetareve gjatë ofrimit të shërbimeve, përkatësisht gjatë shpërndarjes së faturave tek konsumatorët (qytetarët).

Në zbatim të përgjegjësive të saj Ligjore, Agjencia për Informim dhe Privatësi në fund të muajit shkurt 2024, ka kërkuar nga të gjitha Ndërmarrjet Publike dhe Private ndërmarrjen e masave të sigurisë gjatë shpërndarjes së faturave tek konsumatorët (qytetarët).

Afati për Ndërmarrjet Publike dhe Private që shpërndajnë fatura tek qytetarët për të vendosur faturat në zarfe për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale ka qenë 30 qershori 2024. Kërkesa është adresuar për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre.

Në kuadër të sigurimit të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Agjencia për Informim dhe Privatësi, kërkon nga Ndërmarrjet Publike dhe Private që ofrimin e shërbimeve për qytetarët (shpërndarjen e faturave) ta realizojnë në formatin që garanton mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga ekspozimi dhe qasja e paautorizuar. Rrjedhimisht, Ndërmarrjet Publike dhe Private janë të obliguara të ndërmarrin masat e duhura të sigurisë me rastin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët (shpërndarjes së faturave) dhe të vendosin masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rreziqeve të mundshme të keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve.

Në këtë kontekst, AIP kërkon nga këta kontrollues zbatimin e rregullave dhe standardeve për mbrojtjen e te dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës siç përcaktohet me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Qëllimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është përmbushja e mandatit të saj ligjor në mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve për të parandaluar ekspozimin e paautorizuar të tyre.