Dasmat dhe ahengjet familjare janë ngjarjet që më së shumti e karakterizojnë shoqërinë tonë, sidomos gjatë verës.
Me këtë temë është marrë gazetari i redaksisë shqipe në Deutsche welle, Bahri Cani.
Cani nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka komentuar në lidhje me paratë që hidhen nëpër dasma duke e konsideruar këtë si një gjë të kotë.
Ai ka shprehur habinë se ku po merren këto para duke marr parasysh ankesat e qytetarëve për të ardhurat ekonomike.
Madje, Cani ka sugjeruar që në çdo dasmë duhet të dërgohet ndonjë inspektor i shërbimit fiskal, që menjëherë të numërojë sa para i ka marrë X këngëtari apo këngëtarja dhe që të shikojë se kush po hedh më së shumti para, për të konstatuar se ku i mori ato?
Postimi plotë:
Fluturoj, fluturoj – euro, dollari, frangu….
Po shikoja një video sot në mëngjes dhe u tmerrova: Qysh po ju duken këto farë traditat e hedhjes së parave nëpër dasma, kjo farë bindja e kotë se burri apo gruaja më e vlefshme në dasëm, është ai apo ajo që hedhë sa më shumë para nëpër tokë apo ja mbush gushën turlifarë këngëtari të dyshimtë (le të më falin ata që vërtet dinë të këndojnë)… Jam goxha i bindur se me këto paratë e hedhura kot së koti nëpër dasma, çifti i ri i sapomartuar do të mund të fillonte një jetë goxha të mirë në disa muajt, nëse jo në disa vitet e para! Sinqerisht, nuk e di ku po i marrin gjithë këto para, kur çdo ditë dëgjon se sa ankohen njerëzit se nuk po kanë?! Kjo po mi kujton disa njerëz që kanë rrogat nga 500-600 euro e veturat nga dhjetëra mijëra, apo shtëpitë nga qindra mijëra euro.
Pas një mendimi të gjatë dhe të thellë, kam ardhur në konstatimin se: Në çdo dasmë duhet të dërgohet ndonjë inspektor i shërbimit fiskal, që menjëherë të numërojë sa para i ka marrë X këngëtari apo këngëtarja dhe që të shikojë se kush po hedh më së shumti para, për të konstatuar se ku i mori ato? Prej nga po vijnë more këto para që në dasma fluturojnë sikur me pas pikë prej qielli?!
Nejse, hajde për hajer more, ishalla çifti trashëgohet?