Një delegacion nga Presidenca e Kosovës, i deleguar nga Presidentja Vjosa Osmani dhe i udhëhequr nga këshilltarët e saj, Dora Musa dhe Bekim Kupina, bashkë me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe atë të Istogut, Ilir Ferati po qëndrojnë prej dy ditësh në Hiroshimë të Japonisë, në ceremoninë e Ditës Përkujtimore të Paqes të organizuar nga Kryetari i Hiroshimës.
Në ceremoninë e 79-vjetorit të hedhjes së bombës atomike në Hiroshimë morën pjesë mbi 100 përfaqësues të shteteve nga gjithë bota dhe nga aty u riafishua rëndësia e ruajtjes së paqes dhe sigurisë anembanë botës.
Siç njofton Presidenca, krahas ceremonisë zyrtare, delegacioni pati rastin të takohet dhe me nxënës të shkollave të mesme nga Hiroshima, të cilët kishin përpiluar mesazhet e tyre të paqes.
Delegacioni nga Presidenca pati mundësinë të dëgjojë edhe rrëfime të të mbijetuarve të Hiroshimës dhe ta vizitojë vendin në të cilin ishte hedhur bomba atomike.
“Nga aty, krahas përfaqësuesve të shumë shteteve, delegacioni nga Kosova dërgoi mesazhe paqeje për qytetarët e Hiroshimës, duke uruar që bota të mos përjetojë kurrë më ngjarje sikurse kjo”, u tha në njoftim.
Gjatë ditës së sotme, kryetari i Hiroshimës, Kazumi Matsui ka pritur në një takim zyrtar delegacionin e Presidencës.
Këshilltarët e Presidentes Osmani, siç thuhet, ndër të tjera e kanë njoftuar Matsuin mbi iniciativat e Kosovës për ruajtjen dhe kultivimin e paqes, me theks të veçantë në angazhimin e Presidentes Osmani në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Në takim, thuhet se ndër të tjera është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me komunat kosovare, teksa “kryetari Matsui ka ftuar kryetarët e Drenasit dhe Istogut që t’i bashkohen Rrjetit global të paqes Mayors for Peace”.