Të hënën në Shkup do të mbahet takimi i liderëve të rajonit në kuadër të Procesit të Brdo-Brione.
Nikoqir i këtij takimi është presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski.
Presidenca maqedonase ka publikuar pjesëmarrjen e presidentëve në këtë takim, si dhe ka bërë të ditura temat që do të jenë në fokus.
“Në fokus të takimit të sivjetshëm të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Brdo-Brioni në Shkup janë integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve”, thuhet në njoftim, përcjell teve1.info
Sipas njoftimit pjesëmarrës në këtë takim do të jenë, “Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç dhe Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, do të marrin pjesë në takim si bashkëpritës, si dhe presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti. i Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës: Zheljko Komshiq, Denis Beqiroviq dhe Zheljka Cvijanoviq”
Procesi Brdo-Brioni u mbajt për herë të parë në vitin 2013 me iniciativën e përbashkët të presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë, në Brdo afër Kranjit.
Qëllimi kryesor i procesit është integrimi i plotë i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura. Udhëheqësit e vendeve të Procesit Brdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.
Për këtë takim që do të mbahet në hotelin “Hilton” në Shkup, sipas njoftimit janë akredituar 125 përfaqësues të mediave, 72 nga Maqedonia Veriore dhe 53 nga jashtë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar të dielën për në Shkup për pjesëmarrje në këtë samit.
Tags: Brdo-BrioneShkuptakimi