Presidenca e Republikës së Kosovës mbështet vazhdimisht avancimin e agjendës së gjelbër në Kosovë dhe përtej nëpërmjet forcimit të partneriteve dhe nismave e projekteve që kontribuojnë në këtë drejtim.
Sipas një njoftimi nga Presidenca e Kosovës, kabineti i presidentes Osmani ishte pjesë e diskutimeve përmbajtësore të edicionit të gjashtë të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë të mbajtur më 24 dhe 29 maj.
“Në hapjen e këtij edicioni, në panelin e nivelit ministror me temë politikat rajonale dhe agjenda e përbashkët në fushën e energjisë, nën udhëheqjen e Learta Hollaj, Zëvendësshefe e Stafit të Presidentes, u diskutua për rëndësinë e investimeve në energjinë e pastër edhe përmes promovimit të partneritetit rajonal, si dhe mundësitë e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal të energjisë”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, sipas njoftimit, në panelin me temë parandalimin e ndotjes nga plastika të udhëhequr nga Dora Musa, këshilltare e Presidentes Osmani, u theksua se me rritjen e konsumit të produkteve të plastikës bëhet gjithnjë e më e rëndësishme qasja individuale drejt reduktimit të përdorimit të plastikës një-përdorimshe.
“Po ashtu, u fol për rëndësinë e krijimit të infrastrukturës adekuate nga institucionet qendrore dhe lokale me qëllim të largimit nga ekonomia lineare drejt ekonomisë qarkore”, thuhet në njoftim.