Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbajti të shtunën protestë në Prishtinë kundër Ligjit për pagën minimale, i cili nuk e përfshinë këtë kategori.
Pensioni i veteranëve, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në ligjin që u miratua të enjten në mbrëmje nuk është përfshirë edhe rritja e pensioneve të veteranëve.
“Kush do ta kishte menduar se sot gati 25 vite pas luftës do të dilnim këtu për të kërkuar edhe një herë lirinë dhe të drejtat tona. Sot ato nuk po mohohen nga një regjim i tmerrshëm i Slobodan Milosheviçit, por nga qeveria e shtetit për të cilin kemi dhënë gjithçka”, tha Avni Ajeti nga kjo organizatë, duke i bërë thirrje presidentes së vendit, Vjosa Osmani që të mos e nënshkruaj ligjin. Veteranët paralajmëruan protestave të reja nëse ligji hyn në fuqi.
Ligji për pagën minimale parasheh rritjen e saj në 264 euro, nga 130 deri në 170 sa është aktualisht. Nëse ky ligj hyn në fuqi, për çka kërkohet nënshkrimi i presidentes së vendit veteranët do të vazhdojnë të marrin 170 euro sa është pensioni aktual i tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se trajtimi i veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të zgjidhet me një ligj të ri dhe mbështet ofrimin e sa më shumë përfitimeve për këtë kategori, por ato përfitime nuk janë pagë.
“Ne jemi për benefite sa më të larta për veteranët e luftës çlirimtare, por këto benenifte nuk janë pagë sepse paga është për punë, ndërkaq benefitet janë mirënjohje e shoqërisë e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e të lirisë sonë”, tha kryeministri Kurti.
Ligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve qeveria e Kosovës, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj”.
“Ne angazhohemi që të kemi një ligj të ri por për këtë gjë na nevojitet që faktet t’i kemi të sakta. Unë besoj që në luftën çlirimtare kanë marrë pjesë edhe më shumë se 60 mijë pjesëmarrës, mirëpo ka një lloj trefishimi të numrit të veteranëve. Andaj është e domosdoshme që gjërat t’i quajmë me emrat adekuat”, tha kryeministri Kurti.
Protestuesit kritikuan siç thanë, “veprimet skandaloze të qeverisë”, ndërsa kërkuan edhe dorëheqjen e shefes së grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari – Lila.
Për disa ditë me radhë portali Nacionale publikoi disa biseda të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion”.
Përplasjet rreth kësaj çështjeje çuan në përleshje fizike në parlamentin e Kosovës ditën e enjte, duke nxitur shqetësime për thellimin e përçarjeve politike dhe polarizimin e shoqërisë në Kosovë. /VOA