Me ceremoni shtetërore, presidentja Vjosa Osmani u prit nga homologu i saj, Zoran Milanoviq, në Kroaci.
Të dy ndanë mendime të njëjta rreth gjërave që i folën, ku kryetemë ishte faji i Serbisë për ndodhitë e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Ka pak shtete në Evropë që e kuptojnë sfidën që ne po përballemi në Kosovë, më mirë se Kroacia. Kroacia në fillim të viteve 90-ta u përballe më matricë të ngjashëm të agresionit, atëherë nga regjimi i Millosheviqit, duke u përballur me grupet paramilitare serbe që kishin mbështetje politike, financiare, organizative, ushtarake nga regjimi i atëhershëm në Beograd”, tha presidentja Osmani.
I rreptë me Serbinë u shfaq edhe Milanoviq, i cili argumentoi mes tjerash se për të hyrë në bazën e ushtrisë serbe, në të cilën edhe u dëshmua se u stërvit grupi terrorist, duhet aprovim paraprak.
Por, më kritik ky doli karshi kryediplomatit evropian, Josep Borrell, derisa bëri thirrje që të hiqen sanksionet ndaj Kosovës.
“I ftoj shtetet që t’i bojkotojnë ato. Masat që i ka ndërmarrë Komisioni Evropian, nga zoti Borrell, i cili shpresoj që së shpejti të shkojë në pension, pra nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por masa të ndërmarra nga Borrelli dhe ekipi i tij, të cilat na kërcënojnë të gjithë ne që takohemi me përfaqësues të Kosovës në nivel të lartë”, ka thënë Zoran Milanoviq, president i Kroacisë.
Ai e sheh me dyshim edhe faktin se Borrelli vjen nga Spanja, vend ky që nuk e njeh Kosovën.