Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Presidentja Osmani jep lajmin e mirë, Sudani e njeh pavarësinë e Kosovës

 
   

Sot, shtet afrikan, Sudan e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 119-të që e njeh atë.

Këtë lajm historik, e bëri të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në një njoftim në X, ajo tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.

Në një video përkrah ministrit të Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalya të Turqisë, Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.

Presidentja shprehu mirënjohjen në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike, shkruan “Bota sot”.

“Sudani ka njohur Republikën e Kosovës dhe dy vendet tona kanë rënë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike. Faleminderit nga populli i Republikës së Kosovës. Ky është fillimi i një partneriteti të madh!”, ka deklaruar Osmani në X.

Njohja nga Sudani është e dyta për brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit.