Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Presidentja Osmani sot do të takohet me liderët e Kroacisë

 
   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Zoran Milanoviq sot gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, do të ketë disa takime të nivelit të lartë.

Sipas agjendës e para e shtetit sot në orën 10:00, do të pritet me një ceremoni zyrtare dhe nderime të larta shtetërore nga presidenti kroat Zoran Milanoviq, ku pastaj do të ketë takim teta-a-tete me të.

Nga ora 11:00 do të ketë takime mes presidentëve me delegacione, ndërsa nga ora 11:30 do të mbahet një konferencë e përbashkët për media.

Osmani do të vazhdojë më takimet e tjera, ku nga ora 12:35–13:00, do të ketë takim me kryetarin e Kuvendit Gordan Jandrokoviq, ndërsa nga ora 13:05 takim me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq.

Sipas njoftimit nga zyra e Presidentes, fokus i diskutimeve do të jetë thellimi i mëtejmë i raporteve bilaterale dhe zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Po ashtu bëhet e ditur se në kuadër të kësaj vizite zyrtare, presidentja Osmani do të ketë vizitë edhe në komunën e Rjekës, ku ndër të tjera, do të takohet me komunitetin shqiptar në këtë komunë. Ajo do të vizitojë edhe Karllovacin.

Zyra e presidencës kroate njofton se Presidenti Milanoviq dhe presidentja Osmani Sadriu do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në veri të Kosovës dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore.

“Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidenti Milanoviç tashmë u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Dhe në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, presidenti Milanoviç theksoi se Kroacia mbron njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve”, njofton presidenca kroate.