Në kuadër të vizitës shtetërore në Shqipëri, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u prit në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama diskutuan për aspekte të ndryshme me interes të përbashkët, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimin në politikën e jashtme, partneritetin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.
“Një bisedë përmbajtësore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Të dy liderët shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për të punuar së bashku në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, të cilët ndërlidhen me rrugëtimin euroatlantik.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, theksoi është në interesin e të dy shteteve dhe atë rajonal që të ketë një koordinim të ndërsjellë në politikën e jashtme, në funksion të integrimit të të dy shteteve në familjen euroatlantike.
Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani tha se Kosova është palë konstruktive, teksa potencoi se njohja reciproke, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës duhet të jenë rezultati i këtij procesi.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama shprehën optimizmin e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe vunë theksin në potencialin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.