Lideri i grupit privat të mercenarëve, Wagner, tha se qëllimi i marshimit të trupave të tij drejt Moskës gjatë fundjavës, ishte për të shpëtuar kompaninë e tij dhe jo një përpjekje për të rrëzuar Qeverinë ruse.
Në deklaratën e parë publike që kur tërhoqi trupat vetëm 200 kilometra larg Moskës, Yevgeny Prigozhin, përmes një audio-mesazhi, nuk tregoi vendndodhjen e tij apo për planet e tij në të ardhmen.
“Ne nisëm marshin tonë për shkak të padrejtësisë”, tha Prigozhin gjatë një audio-mesazhi 11 minutësh, duke iu referuar një sulmi të supozuar ndaj forcave të tij, sulm për të cilin ai fajësoi ushtrinë ruse.
“Ne shkuam për të protestuar dhe jo për të rrëzuar Qeverinë nga pushteti”, shtoi Prigozhin.
Ndërkaq, autoritetet ruse kanë tentuar t’i rikthehen normalitetit duke shfuqizuar masat kundër terrorizmit në Moskë dhe disa rajone, pas rebelimit të shkurtër të Prigozhinit.
Kremlini ka njoftuar paraprakisht se Prigozhini ishte larguar për në Bjellorusi pas një marrëveshjeje të negociuar nga lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka. Kjo i dha fund tensioneve 24 orëshe gjatë fundjavës, që paraqitën kërcënimin më të madh për presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë qëndrimit të tij në pushtet për më shumë se dy dekada. Rebelimi i Wagner-it rriti po ashtu frikën për shpërthimin e një lufte të mundshme civile.
Një nga kërkesat e Prigozhinit ishte largimi i ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Por, ky i fundit është shfaqur në një video duke vizituar trupat ruse.
Ministria e Mbrojtjes publikoi më 26 qershor videon që shfaqte Shoigun duke fluturuar me një avion dhe duke dëgjuar raportime nga kolegët e tij për një post komandues. Nuk është ende e qartë se kur dhe ku është incizuar kjo video.
Më herët, agjencia e lajmeve RIA tha se Shoigu kishte vizituar trupat ruse të përfshira në pushtimin e Ukrainës. Ky informacion nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Prigozhin të dielën mbrëma njoftoi përmes rrjetit social Telegram për përfundimin e rebelimit të shkurtër, pas negociatave me liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.
Prigozhin dhe Lukashenka, ndarazi kanë deklaruar se tërheqja e trupave të Wagner-it u bë për të parandaluar “gjakderdhjen” në Rusi.
Ndërkaq, të shtunën në mbrëmje, Kremlini njoftoi se ndjekja penale ndaj Prigozhinit dhe pjesëtarëve të Wagner-it do të ndalet.
Por, disa media ruse kanë raportuar se hetimet ndaj Prigozhinit po vazhdojnë. /REL