Drejtori i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina ka thënë se ndryshimi i emrit të Universitetit të Prishtinës do të ndikonte negativisht në imazhin e tij.
Ai ka thënë se nëse bëhet një veprim i tillë do të i humbet relevanca institucionit, pasi sipas tij kjo është një nisme e keqe.
“Po do të ndikonte negativisht në imazhin e Universitetit. Unë mendoj që po, gjithsesi, se nëse ne çdo 10 vite ne bëjmë një ndryshim në emërtim të një Universiteti, siç është ai i Prishtinës atëherë edhe i humbë relevanca dhe vjen deri tek zbehja. E thash edhe më herët, se ne duhet që të fokusohemi në ngritjen e nivelit akademik, të luftohet plagjiatura, gjithçka e mbrapshtë që funksionin brenda këtij institucioni”, ka thënë ai.
Tutje, Prishtina tha se ky është një problem politik dhe rruga është e gabuar.
Emri “Hasan Prishtina” i Universitetit të Prishtinës ka shkaktuar polemika për javë të tëra, pasi rektori i këtij universiteti, Qerim Qerimi, kishte përmendur në media mundësinë e largimit të emrit të veprimtarit “Hasan Prishtina” nga ky institucion i arsimit të lartë.
Hasan Prishtina ka qenë aktivist e veprimtar i shquar nga Kosova. Ai ishte lindur më 1873 në Vushtrri, ndërsa ka vdekur më 13 gusht 1933 në Selanik të Greqisë.