Problemi me qentë endacakë po vazhdon ende në kryeqytet. Banorët në lagjen ‘Parku i Qytetit’ ankohen se po ndihen të rrezikuar. Kurse nga Komuna e Prishtinës thonë se po bëjnë mjaftueshëm për ta zgjidhur problemin.
Fadil Poroshica tregon se djali i tij, ditë më parë, u sulmua nga qentë endacakë. “Pardje djalin e kanë sulmuar. Të rrezikuara janë gratë me karroca, fëmijë, pasi qentë janë shume agresiv. Ne nuk mundemi të dalim në park, duhet të qëndrojmë brenda”, tha ai për RTK-në.
Të rrezikuar, përveç fëmijëve, janë edhe të moshuarit sikurse 64-vjeçari Skender Borovci, banor në afërsi të parkut. “Mos me qenë këto shtaga as me guxu me dal në park jo. Me këto po mbrohem. Janë rrezik për të gjithë!”, tha ai.
Edhe Nderim Shahini tregoi për rrezikun që paraqesin qentë endacak. “Po na vërsulen qentë. Dje mua me djal na u kanë vërsulur. Komuna duhet të bëjë diçka”, tha ai.
Në lidhje më këtë problem, nga Komuna e Prishtinës thanë për RTK-në se po bëjnë mjaftueshëm, por sipas tyre kërkohet angazhim i të gjithëve.
“Kryeqyteti ka kufizime ligjore. Ligji kërkon që qentë të kapen, të trajtohen dhe brenda 5 ditësh të lëshohen në vendin e kapjes. Kemi paraparë edhe subvencione nga 50 euro në muaj, për ata që adoptojnë qentë endacakë. Këtë vit po përgatitemi të ndërtojmë një qendër për evakuim emergjent, ku do t’i dërgonim qentë. Megjithatë, nga niveli qendror kemi zero ndihmë, por edhe komunat e tjera nuk po bëjnë atë që po e bëjmë ne”, kanë thënë nga komuna në një përgjigje me shkrim.
Komuna e Prishtinës thotë se si asnjëherë më parë, ka arritur t’i trajtojë mbi 3300 qen.